Një nga temat e diskutuara në emisionin “ADN” nga Ilir Yzeiri në RTSH ishte edhe lulëzimi i teorive konspirative në epokën e infokracisë. I ftuar në studio ishte gazetari dhe drejtuesi i Apostrof Podcast, Bjorn Runa.
Sipas Runës, kultura e konspiracionit ushqehet shpesh nga ndjesia e përjashtimit dhe pamundësisë për të kuptuar mekanizmat realë ekonomikë dhe politikë që ndikojnë jetën e individëve.
“Kërkojmë një shpjegim të thjeshtë, por që në të njëjtën kohë të tingëllojë sa më i ndërlikuar, që të mos themi se është diçka banale që po na pengon, por është gjithmonë një lloj force më e madhe. Është një komitet i të treqindve diku larg që vendos për fatin tonë”, u shpreh ai.
Runa argumentoi se analizimi i mënyrës se si funksionojnë sistemi ekonomik dhe ai politik kërkon kohë dhe njohuri, ndërsa teoritë konspirative ofrojnë përgjigje të menjëhershme dhe emocionalisht më të lehta për t’u përthithur.
Diskutimi u zhvillua në kuadër të një bisede më të gjerë mbi krizën e demokracisë, infokracinë dhe transformimin e medias në epokën digjitale.
Lini një Përgjigje