Tingujt e pavdekshëm të mjeshtrit të muzikës filmike Ennio Morricone mbushën mbrëmjen e djeshme sheshin “Italia” në Tiranë, në koncertin madhështor “Morricone dirigjon Morriconen”, organizuar në kuadër të Ditës së Europës.
Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën e sotme me një videomesazh të veçantë, ku ndau pamje nga mbrëmja magjike e 9 Majit në Tiranë, kushtuar trashëgimisë së kompozitorit legjendar Ennio Morricone, përmes koncertit “Morricone ishte im atë”.
Rama e shoqëroi videon me urimin për një të diel të paqtë, duke e lidhur këtë ngjarje me festimet e Ditës së Europës dhe me mesazhin e fuqishëm që muzika sjell si urë bashkimi mes popujve.
Ai, e cilësoi koncertin si një përjetim të jashtëzakonshëm dhe një simbol të bashkëpunimit kulturor mes Shqipërisë dhe Italisë.
“MIRËMËNGJES, dhe me këtë videokartolinë nga mbrëmja magjike e 9 Majit të Europës, kremtuar me muzikën e legjendarit Ennio Morricone në shfaqjen e veçantë, “Ishte im atë”, luajtur me dinjitet të lartë nga Orkestra Sinfonike e Radio-Televizionit Shqiptar dhe kori i Teatrit të Operës dhe Baletit, nën drejtimin e të birit, Andrea Morricone, ju uroj një të diel të paqtë”-shkruan Rama
Koncerti solli në kryeqytet tingujt e pavdekshëm të kolonave zanore që kanë bërë histori në kinemanë botërore, të interpretuara me dinjitet nga Orkestra Simfonike e Radio-Televizionit Shqiptar dhe kori i Teatrit të Operës dhe Baletit.
Andrea Morricone, i biri i kompozitorit të shquar, i dha mbrëmjes një emocion të veçantë duke sjellë kujtimin e babait të tij përmes muzikës.
Aktiviteti u realizua në bashkëpunim me Institutin Italian të Kulturës, Ambasadën italiane në Tiranë, RTSH dhe TKOB.
Ennio Morricone ishte kompozitor dhe dirigjent legjendar italian, sinonim i “Spaghetti Westerns” të Sergio Leones, sipas classicfm.com. Gjashtë herë fituesi i ”Golden Globe”, Ennio Morricone, përbën gjysmën e një prej partneriteteve më të mëdha regjisor/kompozitor, që nga Hitchcock dhe Hermann.
A.K./TemA
Lini një Përgjigje