Kryeministrja e Japonisë, Sanae Takaichi, ka habitur opinionin publik pasi zbuloi në rrjetet sociale se, që prej marrjes së detyrës, fle vetëm nga zero deri në tre orë në natë për shkak të ritmit të ngarkuar të punës.
Deklarata e saj ka ngjallur reagime të forta, ndërsa specialistët paralajmërojnë se mungesa kronike e gjumit mund të ketë pasoja të rënda për shëndetin fizik dhe mendor.
Neurologu italian Luigi Ferini Strambi, drejtues i Qendrës së Mjekësisë së Gjumit në spitalin San Raffaele-Turro në Milano, e cilësoi deklaratën e kryeministres si “një mesazh thellësisht të gabuar”.
“Na vjen keq për të, por sot kemi prova të forta shkencore që tregojnë rëndësinë e gjumit. Për më tepër, këto janë fjalë që nuk duhet t’i thotë drejtuesja e një vendi si Japonia, ku fenomeni karōshi, vdekja si pasojë e ritmeve ekstreme të punës, njihet prej vitesh si një problem shëndetësor dhe shoqëror”, u shpreh ai.
Sipas ekspertit, gjumi është thelbësor për funksionimin normal të organizmit. Ai ul nivelin e hormonit të stresit, forcon sistemin imunitar dhe zvogëlon rrezikun e sëmundjeve të rënda si infarkti, diabeti, kanceri, demenca, hipertensioni dhe goditja në tru.
Mungesa e gjumit ndikon gjithashtu në aftësitë njohëse. Sipas neurologut, personat që flenë pak kanë më pak përqendrim dhe vëmendje, dëmtojnë kujtesën, reagojnë më ngadalë dhe janë më të rrezikuar nga gabimet dhe aksidentet.
Po ashtu, mungesa e pushimit ndikon edhe në gjendjen emocionale, duke rritur ankthin, nervozizmin, luhatjet e humorit dhe vështirësitë në përballimin e stresit.
Eksperti rekomandon që një i rritur, përfshirë persona të moshës 65-vjeçare si kryeministrja japoneze, të flejë mesatarisht rreth shtatë orë çdo natë. Ai thekson se rëndësi ka jo vetëm kohëzgjatja e gjumit, por edhe cilësia dhe rregullsia e tij.
Megjithëse ekzistojnë persona me një predispozitë të rrallë gjenetike që mund të funksionojnë normalisht edhe me katër orë gjumë, Strambi thotë se kjo nuk duket të jetë rasti i Takaichit, e cila ka pranuar se dëshiron të flejë më shumë dhe se mungesa e gjumit i ka shkaktuar edhe rrathë të zinj poshtë syve.
Lini një Përgjigje