Përfaqësuesi i Shqipërisë në Eurosong, Alis, ka mbyllur me sukses edhe provat e dyta në skenën gjigante të Vjenës, aty ku të martën pritet të ngrejë siparin Festivali i Këngës Europiane.
“Nan” është gati të pushtojë skenën europiane në një performancë që bashkon vokalin unik, mesazhin e fortë dhe një skenografi madhështore!
“Sapo mbarova provën e dytë dhe jam jashtë mase i kënaqur. Emocionet ditë për ditë po shtohen më tepër, por janë prej atyre emocioneve që janë jashtë mase të bukura.
Mezi pres t’ju ndaj gjithë surprizat e performancës me ju dhe deri atëherë mos harroni të votoni numrin 13. Ju dua!”, u shpreh Alis.
Alis do të performojë në gjysmëfinalen e dytë, më 14 maj. Duke nisur nga e marta, për tre netë RTSH do të transmetojë ekskluzivisht Festivalin e Këngës Europiane.
Alis ka fituar zemrat e publikut ndërkombëtar dhe, për të promovuar “Nan”, RTSH e ka mbështetur këngëtarin me performanca në shtete të ndryshme të Europës.
Vota e diasporës gjithashtu do të jetë një mbështetje e madhe për Alis, i cili premton një performancë surprizuese. A.K./TemA
Lini një Përgjigje