Akademiku Nazim Gruda u zgjidh kryetar i Seksionit për Prodhimin në Serra dhe Mjedise të Kontrolluara të Shoqatës Ndërkombëtare të Shkencave të Hortikulturës
Kjo arritje e rëndësishme ndërkombëtare i shtohet veprimtarisë shkencore të akademikut shqiptar, Nazim Gruda. Zgjedhja në këtë detyrë përfaqëson një vlerësim të lartë për kontributin e vazhdueshëm dhe të spikatur të akademikut Gruda në fushën e hortikulturës moderne, veçanërisht në prodhimin në serra, menaxhimin e mjediseve të kontrolluara dhe zhvillimin e sistemeve të qëndrueshme të kultivimit.
Veprimtaria e tij shkencore, e shtrirë ndër vite në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, ka ndikuar ndjeshëm në avancimin e praktikave bashkëkohore në këtë sektor.
Shoqata Ndërkombëtare e Shkencave të Hortikulturës (ISHS), me seli në Bruksel, Belgjikë, organizoi së fundmi procesin zgjedhor për drejtuesit e seksioneve të saj shkencore, me pjesëmarrjen e gjerë të anëtarëve nga vende të ndryshme të botës.
Konfirmimi zyrtar i drejtuesve të rinj pritet të bëhet në Kongresin Ndërkombëtar të Hortikulturës, në Kioto të Japonisë. Në këtë aktivitet prestigjioz, akad. Gruda është ftuar gjithashtu si ligjërues kryesor në një nga simpoziumet shkencore, çka përbën një tjetër tregues të vlerësimit të lartë ndërkombëtar për veprimtarinë e tij.
Marrja e këtij roli drejtues krijon mundësi të reja për forcimin e bashkëpunimit shkencor ndërkombëtar dhe për promovimin e praktikave të avancuara dhe të qëndrueshme në një nga sektorët më dinamikë të bujqësisë moderne. A.K./TemA
Lini një Përgjigje