Aktivitete në Qendrën Kombëtare të Leximit në Ditën Botërore të Librit

23 Prill 2025, 15:44Kulturë TEMA
Aktivitete në Qendrën Kombëtare të Leximit në

Në Ditën Botërore të Librit, një festë globale që na kujton rëndësinë e leximit, forcën e fjalës së shkruar dhe ndikimin e pashtershëm që librat kanë në jetët tona, Qendra Kombëtare e Librit dhe Leximit organizoi aktivitetin “Poetët për Poetët” me pjesëmarrjen e poeteve Mimoza Ahmeti dhe Rita Petro.

QKLL në këtë “festë të librit” realizoi sot një sërë aktivitetesh: “Këndi i autorit” me autoren e librave për fëmijë, Rudina Çupin; “Fuqia e fjalës” me moderator Carlo Pellicano; “Një trëndafil për dashurinë-një libër përgjithmonë”; “Letërsia që jetojmë” një takim me 7 shkrimtarë shqiptarë. Gjithashtu është në program edhe një takim në Prishtinë, në librarinë “Dukagjini” me shkrimtarin Ag Apolloni dhe drejtoren e QKLL, Alda Bardhyli ku do të ketë një diskutim mbi krijimin si akt shpirtëror dhe universal.

“Libri nuk është thjesht një grumbull fletësh të mbledhura bashkë. Është një udhëtim përmes mendimeve, ndjenjave dhe ëndrrave.

Nëpërmjet librit, ne mund të udhëtojmë në kohë, të shëtisim në vende që kurrë s’i kemi parë dhe të përjetojmë histori që na formojnë shpirtin dhe intelektin”, shkruan QKLL në faqen e saj online. /atsh/