Në klimën gjithnjë e më të zhurmshme të debatit publik shqiptar, një nga tendencat më shqetësuese është sulmi ndaj figurave themelore të dijes, si pjesë e një prirjeje për të relativizuar gjithçka që ka qenë dikur konsensus shkencor. Tashmë, autoriteti intelektual nuk vlerësohet përmes përkushtimit, metodës apo ndershmërisë akademike, por përmes “shpikjes” së versionit më tërheqës për rrjetet sociale.
Kjo prirje është veçanërisht e dukshme në fushën e albanologjisë, ku një grup figurash të ashtuquajtur si “albanologë alternativë” pretendojnë të jenë të pavarur nga çdo institucion, akademi apo “dije zyrtare”. Por çfarë do të thotë vërtet “pavarësi” në këtë kontekst? Dhe më e rëndësishmja: a mund të jetë kjo pavarësi një iluzion i rrezikshëm, një mekanizëm që i bën këta individë të përdorshëm nga palë të treta?
Në episodin më të fundit të Apostrof Podcast, Ardian Vehbiu ndalet me shqetësim pikërisht në këtë pikë. Ai e sheh fenomenin jo vetëm si një reagim kulturor ndaj autoritetit, por edhe si një formë të mundshme të instrumentalizimit, që synon të minojë vetë themelet e dijes shqiptare.
“Nëse një palë e tretë do donte të minonte traditën albanologjike, aktivizimi i këtyre burimeve alternative do ishte një mënyrë për ta ndihmuar. Dhe siç po ndodh sot, për shembull, që figura si Eqerem Çabej po përdhosen lirshëm në disa vende - dhe kjo gjë, unë them që nuk i bën mirë dijes shqiptare, kulturës shqiptare - sepse nuk kemi dhe aq shumë që të lejojmë që të rrëzohen dhe të baltosen. Nëse ti del tani dhe thua që, "ç’është ky Çabej i shitur te sllavët", apo "etimologjitë e tij janë të paguara", etj… Për mua, kjo gjë e dëmton jo vetëm reputacionin e Çabejt vetë, por dëmton traditën albanologjike si të tillë.”
Këtu nuk kemi të bëjmë vetëm me një keqkuptim të thjeshtë historik, por ndoshta me një proces rrënimi të besimit publik në dijen e dokumentuar. Me retorikën e “zgjimit nga gënjeshtrat e akademisë”, albanologët alternativë mund të paraqiten si të pavarur, por në realitet mund të bëhen pjesë e një strategjie të gjerë dezinformuese, që synon të zhvlerësojë gjithçka që është e ndërtuar mbi arsye, dokument dhe përpjekje.
Prandaj, pyetja nuk është vetëm “a kanë të drejtë?”, por kush ka interes që këto zëra të dëgjohen më fort se zërat që vërtet e kanë studiuar gjuhën, kulturën dhe historinë shqiptare?
C'na duhet Cabei, kur sot kane dale nje lukuni agronomist, veterineresh, gjeologesh e gjithfaresoj nastradinash qe po na cuditin me marrezite e tyre
Kur maqoku nuk eshte ne shtepi, minjet bejne darsem.