Apostrof/ Nëse Shqipëria do të shkruante një roman për marrëdhënien e saj me letërsinë…

9 Maj 2025, 12:10Kulturë TEMA
Apostrof/ Nëse Shqipëria do të shkruante një roman për

Nëse një komb do të mund të shkruante vetë një libër për marrëdhënien e tij me letërsinë, çfarë gjinie letrare do të kishte ai libër në rast se do të shkruhej nga kombi shqiptar?

E ftuara e radhës në episodin e 17-të të Apostrof Podcast nga Bjorn Runa ishte Alda Bardhyli, drejtore e Qendrës Kombëtare të Librit dhe Leximit. Ajo i përgjigjet kësaj pyetje me një figurë që është njëkohësisht intime dhe politike: një roman coming-of-age novel me elemente tragjikomike.

“Do më pëlqente që ta quaja një roman coming-of-age… Sigurisht që do kishte elemente tragjikomike brenda, por mendoj që romani i një kombi në raportin e tij me letërsinë nuk është një roman i lehtë për t’u shkruar. Dhe rasti i Shqipërisë – një komb me një histori të jashtëzakonshme, siç është përpjekja jonë titanike për mbijetesë, por edhe përpjekja jonë për ta ruajtur dhe për ta përsosur në kohë gjuhën shqipe – mendoj që do të ishte një roman i cili do të kishte protagonist një personazh që përpiqet të kuptojë vetveten, ndërsa përpiqet të ndërtojë një identitet të ri në realitetin postkomunist.

Kur flitet për faqet e kombit shqiptar, i cili ka pasur histori të lavdishme, por edhe faqe jo të bukura – siç është vuajtja gjatë komunizmit – sigurisht që këtij romani i mungojnë shumë pasazhe të tjera, të cilat, nëse do të isha unë autorja, do t’ia vendosja me shumë dëshirë për të krijuar ato kapitujt e një lloj lumturie dhe mungese, apo një heshtjeje të gjatë, që do ta bënin më interesant në sytë e lexuesit.”

Ka diçka thellësisht domethënëse në këtë përfytyrim: Shqipëria si një personazh që rritet, që endet nëpër kapituj të munguar, dhe që përpiqet të kuptojë veten ndërsa shkruan rrugës atë që i mungon. Një komb që, si në çdo roman coming-of-age, lëviz mes traumës dhe dëshirës për kuptim; mes kujtesës që peshon dhe të ardhmes që nuk është shkruar ende. Por a do të kishte guxim ta shkruante deri në fund?

Ndiqni episodin e plotë të Apostrof Podcast këtë të dielë në kanalin e gazetës TemA në Youtube.

 

Lini një Përgjigje