Baleti “Lola” vjen si premierë në TKOB

3 Mars 2026, 13:25Kulturë TEMA
Baleti “Lola” vjen si premierë në TKOB

Teatri Kombëtar i Operës dhe Baletit po përgatitet të vërë skenë pas 25 vjetësh mungesë, baletin “Lola”. Ngjarjet zhvillohen në sfondin e luftës së popullit spanjoll kundër pushtimit francez.

“Lola”, një vajzë e bukur dhe e fortë, në një fshat malor të Katalonjës, është e përfshirë në vorbullën e ndjenjave dhe sakrificës.

Me muzikë nga Sergei Vasilenko dhe një gjuhë koreografike të fuqishme, “Lola” vjen si një balet dramatik, ku pasionit të dashurisë i duhet të përballet me flakët e luftës, ndërkohë që një grua bëhet figura qendrore e rezistencës.

“Është një shfaqje e rëndësishme pasi herën e fundit që është vënë në skenë ka qenë viti 2000, është një premierë. Ka shumë emocion dhe kasti është shumë i mirë dhe jam shumë e lumtur sepse është një shfaqje që publiku do ta pranoj shumë mirë”, u shpreh balerina, Isida Mollaymeri.

“Kjo shfaqje përmban shumë emocione, intrigën, dashurinë. Është një balet i cili ka shumë dramë dhe të gjitha këto përfshihen me muzikën fantastike që baleti “Lola” ka, kostumografinë, skenografinë dhe të gjithë balerinët ë dashurojnë këtë balet pasi kthehet pas 25 vitesh”, u shpreh prima balerina, Adela Muçollari.

TKOB e sjell këtë balet në marsin, muajin e grave, duke vendosur në qendër forcën, dinjitetin dhe sakrificën femërore ne datat 6, 7 dhe 8 mars. A.K./TemA

Lini një Përgjigje