Sal Da Vinci-t pas triumfit në Sanremo 2026: Unë në Eurovision? "Përgjithmonë po"

2 Mars 2026, 13:05Kulturë TEMA
Sal Da Vinci-t pas triumfit në Sanremo 2026: Unë në Eurovision?

Me një karrierë të nisur që në moshën 7-vjeçare dhe të mbushur me sakrifica, Sal Da Vinci është shpallur zyrtarisht fituesi i edicionit të vitit 2026 të Festivalit të Sanremos. Në konferencën e parë për shtyp pas ngritjes së trofeut, artisti u shfaq thellësisht i prekur, duke e cilësuar këtë arritje jo vetëm si të tijën, por si një triumf të të gjithë atyre që nisin rrugëtimin nga zero.

“Emocioni është vërtet i papërshkrueshëm. Është fitorja e një populli dhe fitorja e të gjithë atyre që kanë këmbëngulur në ndjekjen e një ëndrre,” u shpreh Da Vinci para gazetarëve. Ai kujtoi rrugëtimin e tij të gjatë, duke theksuar se ka duruar me këmbëngulje rëniet dhe ngjitjet e pjerrëta të industrisë për të arritur deri në këtë majë.

Një nga momentet kyçe të konferencës ishte konfirmimi i pjesëmarrjes së tij në Eurovision Song Contest, pyetja tradicionale që i bëhet çdo fituesi të Sanremos. Artisti nuk hezitoi për asnjë moment të marrë përsipër këtë përgjegjësi.

“Është një angazhim kaq i bukur dhe një burim krenarie për të sjellë muzikën italiane jashtë vendit tonë. Përgjithmonë, po, e thashë që në fillim,” konfirmoi Da Vinci, duke vulosur kështu përfaqësimin e Italisë në skenën më të madhe evropiane.

Përtej dritave të skenës dhe muzikës, fituesi ndau me publikun një moment thellësisht intime, duke i dedikuar fjalë mirënjohjeje bashkëshortes së tij, Paola Pugliese. Ai e cilësoi atë si forcën e tij më të madhe, falë së cilës arriti të mbijetonte në atë që e quajti “strofulla e ujqërve”.

“Njihemi që nga viti 1984, dhe puthja jonë e parë ishte në Posillipo,” rrëfeu artisti. “Kemi arritur deri këtu. Nuk kemi folur shumë, por e kemi parë njëri-tjetrin. Jemi në simbiozë tani, fjalët nuk janë të nevojshme.”

Ky triumf i Sal Da Vinci-t në Sanremo shënon një kurorëzim të një karriere të gjatë dhe një premtim emocionues për rrugëtimin e tij të ardhshëm evropian. A.K./TemA

Lini një Përgjigje