
Varfëria është një prej gjërave më të vështira për tu thënë me fjalë, jo më për t’u shkruar. Ndjenja e turpit që dikush mund të ketë ndaj të shkuarës së vet zakonisht e mbyt zërin e ndërgjegjes që përbën rrëfimin. Sidomos për një shkrimtar të madh që thuhet se “ja ka dalë në jetë” dhe ka siguruar mbijetesën ekonomike.
Dhe, megjithatë, Charles Bukowski e gjeti rrugën, si dhe e ka gjetur shpesh me sinqeritetin e vet vrastar për kah të vërtetës së qenies njerëzore. “Bukë me sallam” është një prej librave të tij më të arrirë artistikisht dhe ka mbërritur të jetë dhe një klasik i autobiografisë së letrarizuar. Ai i ngjan shumë veprave përpara tij por dhe shumë vepra pas tij i ngjajnë atij. “Paula” e Isabel Allendes përshembull.
“Bukë me sallam” rrëfen adoleshencën e autorit si një fëmijë që vuante nga shëmtia (kishte akne në fytyrë) dhe që shmangej nga miqtë e vet me të cilët herë kishte marrëdhënie të sinqerta e herë herë të serta.
Në një rast Autori mejton me vete « pse të gjithë psikopatët që kam njohur fëmijë janë bashkuar me partinë naziste?”. Ky, për mua, bashkë me skenën në klasë për gjuhën amerikane janë kulmet e librit. Pothuaj mund ta përfytyroj një skenë të ngjashme në klasat e auditoret shqiptarë migjenianë. Por këtë herë për lavdërimin e gjuhës shqipe me tone të larta hyjnizimi alla fishtan kur nxënësit po kërcëllasin dhëmbët nga i ftohti, për të mos thënë po bëjnë gjëra të tjera (si te “Bukë me sallam”).
Charles Bukowski kishte origjinë gjermane por shkruan si amerikan i vërtetë në traditën e romanit realist që nga Mark Tuejni e tutje. Ai u njoh për romanin “Femrat” por dhe për përmbledhjen me tregime « Shënime të një plaku të ndyrë”, në shqip nga Bashkim Shehu.
“Bukë me sallam” është botuar nga Pegi dhe përkthyer nga Iris Sojli.
Lini një Përgjigje