Andrea Bocelli hyn me kalë të bardhë në Sanremo!

28 Shkurt 2026, 22:52Kulturë TEMA
Andrea Bocelli hyn me kalë të bardhë në Sanremo!

Finalja e Festivalit të Sanremos u shndërrua në një moment të paharrueshëm artistik falë hyrjes spektakolare të Andrea Bocellit.

Tenori i famshëm mbërriti në Teatrin Ariston hipur mbi një kalë të bardhë, Caudillo, duke përshkuar rrugët e qytetit në një atmosferë solemne që kujtonte skenat epike të filmit Gladiator.

Tingujt e kolonës zanore të filmit shoqëruan hyrjen e tij, duke krijuar një emocion të veçantë për publikun.

Bocelli kujtoi emocionet e paraqitjes së tij të parë në Sanremo, tre dekada më parë, kur këndoi ‘Il mare calmo della sera’.

“Kanë kaluar tridhjetë vjet që kur kam zbritur për herë të parë në këtë skenë, duke nisur zyrtarisht karrierën time. Prindërit e mi ishin plot shpresë për mua atëherë.”

Pas disa problemeve teknike me mikrofonin, ai interpretoi me pasion këngën që e bëri të njohur, duke e shoqëruar më pas me një tjetër kryevepër, Con te partirò, këngë që debutoi në Sanremo në vitin 1995 dhe që u kthye në një nga himnet italiane më të dashura në botë.

I pyetur nga Carlo Conti për hyrjen e tij mbi kalë, Bocelli u shpreh se “Është një pasion i vjetër i imi. Në këtë moshë duhet të jesh pak më i mençur, por…” 

Prania e Bocellit, shtatë vjet pas paraqitjes së tij të fundit në festival, u pa si një homazh për Pippo Baudo-n dhe për ata që besuan në talentin e tij që në fillim, si Caterina Caselli.

Ai rikujtoi rrugëtimin e tij nga kategoria e “Të Ardhurve të Rinj” deri te suksesi global.

“Unë fitova kategorinë e të Rinjve shumë vite më parë, tani mund të fitoja vetëm kategorinë e të Ardhurve të Vjetër.”

Andrea Bocelli, i cili ka përfaqësuar Italinë edhe në ngjarje madhore si Lojërat Olimpike Milano-Cortina 2026, do të festojë 30-vjetorin e albumit Romanza në vitin 2026 – albumi më i shitur italian i të gjitha kohërave, me mbi 20 milionë kopje të shitura.

Finalja e Sanremos nuk ishte thjesht një mbrëmje muzikore, por një udhëtim artistik dhe emocional, ku Bocelli solli magjinë e zërit të tij dhe simbolikën e një karriere që ka frymëzuar breza të tërë. A.K./TemA

Lini një Përgjigje