Katër artizanate të reja shpallen “Vlerë Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale”

28 Shkurt 2026, 15:27Kulturë TEMA
Katër artizanate të reja shpallen “Vlerë Kombëtare e

 Vallja e Ngjalës, Vallja Dyshe Myzeqare, dijebërja e veshjes zadrimore dhe dijebërja e qeleshes janë shpallur “Vlerë Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale”.

Lajmin e bëri të ditur dje ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, teksa njoftoi se këto janë elementë të rëndësishëm të trashëgimisë sonë shpirtërore, që përfshihen në fondin e pasurive që mbrohen dhe promovohen nga shteti shqiptar.

Vendimi u mor nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Jomateriale në mbledhjen e tij të radhës, ku u vlerësuan disa prej praktikave dhe traditave që mbajnë gjallë identitetin kulturor të komuniteteve në zona të ndryshme të vendit.

Elementët e shpallur “Vlerë Kombëtare e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale” janë konkretisht: Dijebërja dhe format e përdorimit të veshjes tradicionale të gruas dhe vajzës zadrimore; Vallja e Ngjalës; Vallja Dyshe Myzeqare; Dijebërja e qeleshes (plisi, kësula, kapuçi, qylahi, kapica, takija, qylafi); Tradita e thurjes me gjilpërë me oje/ojna/ojma/cimb.

Sipas ministrit Gonxhja, këto pasuri përfaqësojnë jo vetëm forma arti dhe mjeshtërie tradicionale, por edhe rrënjët e historisë, kujtesën kolektive dhe identitetin që bashkon shqiptarët.

Ai theksoi se përfshirja e tyre në listën e vlerave kombëtare synon jo vetëm ruajtjen dhe dokumentimin, por edhe promovimin dhe përcjelljen e tyre te brezat e rinj, përmes politikave kulturore, aktiviteteve edukative dhe mbështetjes për komunitetet që i mbajnë gjallë këto tradita.

Gonxhja u shpreh se, Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit do të vijojë punën për evidentimin, mbrojtjen dhe promovimin e elementëve të tjerë të trashëgimisë kulturore jomateriale, duke i konsideruar ato si një pasuri të çmuar kombëtare dhe një potencial të rëndësishëm për zhvillimin kulturor dhe turistik të vendit. A.K./TemA

Lini një Përgjigje