Sanremo/ "Ndizet Aristoni" nga Morandi te Pupo dhe “Aserejé”

28 Shkurt 2026, 09:19Kulturë TEMA

Nata e katërt e Festival di Sanremo 2026 dhuroi emocione të forta, surpriza dhe performanca që ndezën skenën e teatrit Ariston. Në skenë u ngjitën disa nga emrat më të mëdhenj të muzikës italiane, artistë që kanë bërë histori në Sanremo ndër vite.

Surpriza e mbrëmjes ishte interpretimi i Gianni Morandi me të birin, Tredici Pietro. Baba e bir sollën në skenë këngën “Vita”, duke krijuar një moment plot energji dhe ndjenjë, që u prit me duartrokitje të gjata nga publiku.

Atmosfera u ndez menjëherë me Elettra Lamborghini dhe grupin spanjoll Las Ketchup, të cilët interpretuan hitin veror “Aserejé”. Kënga ikonike e vitit 2002 bëri që publiku të ngrihej në këmbë dhe të kërcente, duke rikthyer frymën festive të fillimviteve 2000.

Një nga momentet më intensive artistike erdhi nga Levante dhe Gaia, të cilat interpretuan “I maschi” të Gianna Nannini. Dy artistet shkëlqyen me një performancë të fortë emocionale, duke ruajtur kontaktin sy më sy gjatë gjithë interpretimit dhe duke e mbyllur me një puthje në skenë.

Një tjetër moment i fuqishëm ishte performanca e Dargen D’Amico me Pupo dhe Fabrizio Bosso, të cilët sollën “Su di noi”. Interpretimi mori nuanca manifesti politik, ndërsa vargjet e Dargen shtuan një mesazh të fortë shoqëror. Kënga, e prezantuar fillimisht në edicionin e 30-të të Sanremos, u rikthye me një frymë të re dhe aktuale.

Nata e dueteve, që transmetohet në RTSH 1, konfirmoi edhe një herë magjinë e Sanremos, ku brezat dhe zhanret bashkohen në një skenë të vetme, mes muzikës, emocioneve dhe mesazheve të forta artistike. A.K./TemA

Lini një Përgjigje