Në këtë katërvjetor të luftës në Ukrainë, rikthehet në vëmendje gjeopolitika e Rusisë, e parë dhe e analizuar në syrin e një politikani shqiptar. Ish-ministri i Kosovës, z. Enver Hoxhaj, ka zhvilluar një takim me studentët e Universitetit “Ismail Qemali” në Vlorë, ku promovoi librin e tij “Përplasja e madhe: Si po e lufton Rusia Kosovën dhe Ballkanin”, botim i UET Press.
Të pranishëm në këtë aktivitet ishin përfaqësues të universitetit, të politikës, të akademisë, njohës të historisë etj. Ish-nënkryetarja e Kuvendit, Valentina Leskaj, tha se libri i Hoxhajt mbetet aktual:
“Edhe pas katër vjetësh, idetë e këtij libri janë aktuale. Kjo tregon jo vetëm qartësinë, por edhe konsistencën. Lufta në Ukrainë prek rendin ndërkombëtar; nuk synon një rajon të vetëm, por Ballkani dhe bota shqiptare janë më të kërcënuar. Libri ka një analizë të kthjellët ndaj institucioneve të Evropës, për të cilat kemi qenë kritikë për vonesat, por edhe për gjëra të tjera që mund të ishin bërë më mirë”, u shpreh Leskaj.
Gjatë fjalës së tij, Enver Hoxhaj e cilësoi shpalljen e Pavarësisë së Kosovës si ngjarjen më të bukur për një pjesëmarrës në negociata, duke theksuar se Rusia e ka rrezikuar vazhdimisht Kosovën në rendin ndërkombëtar.
“Unë e kam parë këtë luftë si një ngjarje që e ka ndarë botën në dy pjesë: në të djeshmen dhe në të sotmen. E kam parë si një ngjarje që mund të përmbysë jo vetëm rendin evropian, por edhe atë ndërkombëtar. Me paragrafin e parë të librit kam kërkuar që ne të kemi një fjalor të ri që përshkruan këtë realitet. Libri ka peshë të veçantë, sepse tregon se si duhet të pozicionohemi ne, si Shqipëri dhe Kosovë, në këtë periudhë të dy rendeve ndërkombëtare.”
Rektorja e Universitetit “Ismail Qemali”, Aurela Saliaj, falënderoi autorin dhe shtëpinë botuese për sjelljen pranë studentëve dhe studiuesve të një tematike, e cila mbetet po aq e rëndësishme dhe me ndikim për politikën shqiptare.
“Përplasja e madhe” lindi si ide nga artikujt mbi politikën e jashtme dhe gjeopolitikën, që diplomati dhe akademiku ka botuar rregullisht në media të botës shqiptare, por edhe ndërkombëtare. Kryetema e librit është gjeopolitika e Rusisë në raport me Ballkanin dhe, veçanërisht, me Kosovën./mapo/
Lini një Përgjigje