Ksenofili, letërsi dhe shqetësime të vogla kombëtare

26 Shkurt 2026, 11:51Kulturë Loer Kume

Man Booker është një nga çmimet më prestigjioze letrare në botë. Fitohet dhe ndahet nga autori në gjuhë origjinale dhe përkthyesi që e sjell në anglisht. Longlista e Man Booker 2026 sapo doli dhe duket mjaft e larmishme. Gjuhët origjinale: frëngjisht, gjermanisht, suedisht, kinezisht, spanjisht, portugalisht, por edhe bullgarisht, danisht, italisht dhe persisht.
Menjëherë shpërtheu një debat në qarqet letrare e intelektuale shqipe: Pse ne shqiptarët dhe letërsia jonë nuk përfaqësohemi ende?

Në krye të herës: Nuk është kjo arsyeja, por kam nevojë ta them që në fillim: autori shqiptar ka nevojë të lexojë më shumë letërsi. Shumë autorë shqiptarë, edhe të rinj, shkruajnë ende në bazë të dy shtampave: fshatit të distiluar të Dritëroit dhe modernizmit të infiltruar të Kadaresë. Autorët shqiptarë, shumë prej tyre, ende s’i kanë vrarë baballarët. Lëre pastaj të shkojnë të kullosin letërsitë nëna e motra fqinje. Sidoqoftë, kjo nuk vlen për të gjithë. Ka autorë shqiptarë që i lexoj me qejf e kureshtje. Ka autorë të mirë edhe në brezat sipër fashës sime moshore dhe në brezat që vijnë. Ka shpërthime. Kapriço. Letërsi shumë të mirë.

Por, të vijmë te çështja, kjo letërsi nuk shkon në Man Booker për një arsye: nuk përkthehet. Pse nuk përkthehet?

Arsyeja 1. Fondi shqiptar i përkthimit është shumë i vogël. Deri dje, ky fond madje ndahej në dy pjesë: fond letërsie shqipe në gjuhë të huaj dhe fond letërsie të huaj në shqip. Kjo s’ndodh askund. Ne duhet të kujdesemi për letërsinë tonë, ashtu si çdo vend tjetër kujdeset për letërsinë e tij. Në kushtet që ne nuk jemi një shtet super i pasur apo një shtet që shpenzon dhjetëra milionë euro për letërsinë, si Spanja, për shembull, duhet ndryshuar fluksi i investimit në përkthim. E gjithë vëmendja e projektuar në kulturë e shtetit shqiptar duhet të shkojë në përkthimin e autorëve shqiptarë jashtë. S’ka asnjë arsye që shteti shqiptar të paguajë për të përkthyer Hygoin apo Balzakun. Ato të përkthehen me paratë e shteteve përkatëse. Për sa i përket letërsisë shqipe në gjuhë të huaj, kjo është aventurë më vete. Pa asnjë lloj transparence, kriteresh apo jurie. Akuzat kanë qenë që përkthehet dikush me mik e ndikime të tërthorta. Ose nuk përkthehet thuajse fare.

2.
Sepse populli lexues shqiptar, dhe botuesi shqiptar është ksenofil.
Shqiptarët e iliteruar, nëse nuk je verifikuar jashtë, nëse ke bërë bujë jashtë, nuk lexojnë autorë shqiptarë. Dhe këtu është edhe faji i botuesve. Edhe faji i librarëve.
Botuesit nuk lënë rast pa emfatizuar autorët e huaj dhe, nuk e kanë detyrë primare, por nuk kanë bërë kurrë një përpjekje për të shtyrë një autor shqiptar të botohet jashtë përmes agjencive apo kolegëve të tyre.
Madje arritëm deri atje sa botues, në Komisionin e Kulturës, Turizmit dhe Diasporës, në dëgjesën për ligjin e librit, folën se shkrimtarët shqiptarë shkruajnë kot. Se pas Kadaresë asnjë s’di të shkruajë.
Pra, pozicioni i shumë botuesve shqiptarë, me një impostim dhe gjithologji “eksperte” prej Umberto Eco dhe Sokrati bashkë, vendosin pikat mbi i – që – autori shqiptar nuk shitet, por i huaji po.
Kështu, një fjalë këtu, një mbledhje buzësh aty, krijohen dogmat, në formë sapuni, që lexuesi i brishtë e delikat shqiptar i ha për djathë. Dhe autori shqiptar nuk lexohet në shtëpi të vet. Por ky është zakon profetësh, e dimë tashmë.
Dhe librari shqiptar nuk e merr autorin shqiptar. Dhe kur e pyesin zakonisht – dhe më besoni, librarin e pyesin shumë njerëz që shkojnë në librari, sepse dëshira për të lexuar nuk është automatikisht dije në lexim – ai/ajo sugjeron Colleen Hoover. Duke formuar kësisoj breza çamçakëzi e Coca-Cola. Ishte më mirë brezi ynë, me alkool e Henry Miller e Bukowski.
Kjo vjen sepse, më së shumti, librarët s’kanë pikën e idesë çfarë shesin; rëndësi ka të mos dalin huq. Rekomandojnë budallallëqe “të sigurta”.
Tjetër, në çdo librari, në çdo vend të botës, në vitrinë gjen autorët vendas, mirë a keq; pastaj librat e tjerë janë brenda, në sektorët e tyre. Libraritë tona, në vitrinë, kanë autorë të huaj – në anglisht. Tmerr i pakonceptueshëm për një komb krenar e patriot.

Arsyeja 3. Perceptimi ksenofil edhe zyrtar, pra shtetëror, se letërsia nuk duhet - dhe, në një logjikë financash – nuk sjell të ardhura.
E vërtetë. Letërsia nuk sjell të ardhura të menjëhershme për shtetin.
Nuk i paguhet prurësit me të parë. Por letërsia i paguhet prurësve të tretë e më radhë, pafund.
Letërsia spanjolle, italiane, franceze janë panorama ku miliona e miliona njerëz kanë ngulur pineskat e tyre, duke u identifikuar, shëtitur e gjetur veten nëpër Romë, Paris, Londër, Madrid e Barcelonë. Italia, vendi ynë më i afërt fqinj, pati periudhën e vet të errët në këtë drejtim 20 vitet e fundit. Tani po shihet një rizgjim, i vakët, por ama rizgjim, duke promovuar e investuar autorin italian. Ne jemi ende në agimin e hershëm të të kuptuarit të kësaj.

Arsyeja 4. Sërish gjuha.
Shqipja është atdheu ynë. Feja jonë. Brenda vendit.
Ama burgu ynë në raport me botën. Askush nuk do merret me letërsinë shqipe nëse letërsinë shqipe e lëmë në solipsizëm të plotë. Jemi të burgosur të gjuhës sonë. Letërsia shqipe duhet të përkthehet masivisht. Që të krijohen kështu mundësitë që të gjendet edhe shqipja në Man Booker. E pse jo, edhe në çdo çmim tjetër, edhe në Nobel.

Nuk është e vërtetë se letërsia shqipe nuk është e vlerësuar. Është thjesht e panjohur.
Një autore shqiptare, Ledia Xhoga, vjet, me librin e saj të parë të botuar në anglisht, shkoi në longlistën e Man Booker. Eksperienca ime personale, e zhveshur nga modestira boshe; Në Itali, ku libri im u përkthye nga Klivia Mullaj dhe Valentina Notaro, dhe u botua me besim nga një kryqtar i letërsisë shqipe si Livio Muci, në çdo prezantim kam marrë të njëjtin reagim: “Pse letërsia shqipe është kjo?” Duke trajtuar me respekt “Amygdala Mandala” si të ishte një lule e rrallë e brishtë që nuk sjell pranverën.
Por jo. Letërsia shqipe nuk ka lule të brishta. Është një pyll i vërtetë.
Dhe sa më shumë të jemi, të dashur miq kolegë (që shqetësoheni për frone e pozicione letrare), aq më hije të rëndë do bëjmë. Thënë midis nesh kjo.
Letërsia nuk është sport kolektiv, sigurisht, por nuk ka letërsi të një gjuhe pa pasur një brez, një falangë autorësh që e plotësojnë e nderojnë atë gjuhë. Sa më shumë, aq më mirë.
Dhe ecim përpara.

1 Komente

  1. S
    Sateri

    Respekt per autorin e ketij shkrimi qe ka bere ket analize kaq te holle. Letersia e sotme shqipe fatkeqesisht eshte kaotike, pa nivel e pa mesazh, ose sic I thote populli: korr e mos lidh. Ka shume qe duan te shkruajne, por s'dine se si, por e keqja me e madhe eshte se I kane pordhet te renda. Sot jo vetem qe s'behet fjale per nivele Ismail, Dritero, Fatos, Xhevahir, e shume te tjere, por dyshoj e kapin a jo nivelin foshnjor te Aleks CaCit e Llazar Siliqit. Letersia e sotme ka shume probleme per te kaluar. Fakti qe ka shume krijues te paekspozuar, mua me flet shume. Ata I tremben rremujes dhe njehsimit politik e vazhdojne punen e milingones, pa rene ne sy. Kjo me jep shprese se edhe kjo periudhe e vendit nuk do ngelet pa perfaqesuar ne letersi. Edhe njehere urime autorit Loer Kume

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje