A mund t’ia bësh kritikën një fjalori, përfshi edhe këtë të tanishmin, nëpërmjet kampionimit? Aq më tepër që formati online nuk të lejon për ndonjë kampionim të randomizuar? Zakonisht, ajo që ndodh në rrethana të tilla, është të mendosh për një fjalë çfarëdo dhe të shkosh ta shohësh si e kanë trajtuar – ose të qëmtosh ndonjë fjalë të rrallë a të diskutueshme dhe të verifikosh nëse e kanë përfshirë apo jo. Asnjë nga këto nuk të bind si metodë. Nëse ti gjen një pasaktësi ose pamendje te një fjalë individuale, kjo nuk të lejon të thuash gjë përgjithësuese, për krejt fjalorin. Një statisticien mbase mund të thotë sa i madh duhet të jetë kampioni, për të lejuar një përfundim të pranueshëm edhe shkencërisht.
Nga ana tjetër, siç e thotë edhe një fjalë e urtë, mjafton një gotë verë për ta gjykuar krejt fuçinë; dhe, në rastin tonë të Fjalorit, gabimet – reale a të supozuara – tregojnë diçka; një pakujdesi të hartuesve, ose mungesën e bashkërendimin ose, në fund të fundit, punën jo të mirë. Këtu më poshtë po sjell disa shembuj përkufizimesh që këto ditë më kanë rënë në sy për keq.
Për këtë fjalë janë dhënë dy kuptime; i pari për aktin, i dyti për një vepër që e përmban aktin – por mungon një kuptim themelor, ai me të cilin fjala ndeshet në filozofi dhe që në anglishte del si critique, fjalë e ndryshme nga criticism. Është kuptimi me të cilin fjala KRITIKË del në titullin e veprës së Kantit, Kritika e arsyes së kulluar (ose veprës tjetër, Kritika e arsyes praktike), ose në titullin e veprës së Sartre-it Kritika e arsyes dialektike. Këtu është fjala për një shqyrtim sistematik të kushteve dhe të pasojave të një koncepti, një teorie a një disipline.
Veç kësaj, në shqipen e përditshme, jo detyrimisht bisedore, fjala KRITIKË bart gjithnjë me vete sugjerimin për një vlerësim negativ, siç duket qartë nga shprehje të tilla si vetëm kritika dëgjojmë prej teje; dhe kjo duhej vënë në dukje veçan edhe në përkufizim. Përndryshe, kuptimi “critique” sikur përvijohet në kuptimin 2, “studim shkencor, vërejtje a botim kritik...”, por kaq nuk mjafton; sepse kritika, siç e përdorin Kanti dhe të tjerë filozofë pas tij, ka në themel analizën dhe shqyrtimin, jo vënien në dukje të karakteristikave negative a pozitive.
Këtë Fjalori e jep si term të filozofisë dhe e përkufizon kështu: “1. Shkenca për ligjet më të përgjithshme të lëvizjes e të zhvillimit të natyrës, të shoqërisë dhe të mendimit; arti i të argumentuarit, të arsyetuarit dhe i nxjerrjes së përfundimeve; kund. metafizikë. 2. Ecuria e lëvizjes a e zhvillimit të diçkaje.”
Le të ndalemi te kuptimi 1, që përbëhet nga dy gjymtyrë pa lidhje mes tyre – shkenca për ligjet më të përgjithshme... nga njëra anë; arti i të argumentuarit... nga ana tjetër. Ky kuptim është sjellë, i gjymtuar, nga Fjalori i 1980-ës, ku del kështu:
Shkencë që studion ligjet më të përgjithshme të lëvizjes e të zhvillimit të natyrës, të shoqërisë dhe të mendimit; metodë shkencore e njohjes që i sheh sendet dhe dukuritë në lidhje e varësi reciproke, në lëvizje, në ndryshim e në zhvillim të pandërprerë, që pranon kontradiktat unitetin e luftën e të kundërtave dhe i sheh këto si burimin e brendshëm të lëvizjes e të zhvillimit në natyrë, në shoqëri e në mendimin njerëzor.
Në fakt, ai Fjalor sillte një përkufizim të dialektikës të bazuar në filozofinë marksiste-leniniste (me gjasë, të ripërtypur nga Stalini për mendjen proletare; veçanërisht antonimia e dialektikës me metafizikën vjen drejtpërdrejt nga ky i fundit).
Mua më duket se edhe Fjalori i tanishëm jep një përkufizim në thelb marksist-leninist-stalinist të dialektikës; që nuk është detyrimisht i gabuar, as detyrimisht i drejtë, por thjesht nuk e ka vendin në këtë lloj Fjalori. Unë do të ndiqja përkufizimin që ka dhënë Treccani: “procesi që rezulton nga lufta ose kontrasti mes dy forcave të kundërta” dhe më tej “metodë e njohjes që bazohet në ballafaqimin e tezave të kundërta, me synimin për të arritur të vërtetën ose një sintezë të epërme.”
Sa për pjesën e dytë të kuptimit 1, “arti i të argumentuarit, të arsyetuarit dhe i nxjerrjes së përfundimeve”, kjo është disi e pasaktë, sepse nuk bën dallim mes retorikës, dialektikës dhe logjikës. E kështu me radhë.
Kujtoj se fjalori Larousse e shpjegon dialectique si “1. metodë arsyetimi që konsiston në analizën e realitetit duke nxjerrë në pah kontradiktat e këtij të fundit dhe duke kërkuar kapërcimin e tyre” dhe më tej, si “varg arsyetimesh rigoroze, që synojnë të bindin bashkëfolësin.”
Meqë nuk është lehtë që të jepet një përkufizim përmbledhës i termit filozofik DIALEKTIKË brenda kufijve të Fjalorit, mbase edhe duhej specifikuar që përkufizimi i dhënë i referohet dialektikës marksiste, dhe të ndahej kuptimi 1 në dy pjesë. Gjithsesi, problemin këtu unë e shoh te lehtësia me të cilën është marrë, dhe pastaj gjymtuar, shpjegimi i Fjalorit të 1980-ës.
Te fjala KATETER shkova gati rastësisht, për t’ia verifikuar shumësin: kontrolluesi drejtshkrimor i Microsoft-it ma jepte si KATETER-A, çfarë nuk më bindi. Në fakt, shumësi në Fjalor ishte KATETER-Ë, siç kisha dyshuar.
Por pastaj lexova përkufizimin e fjalës, të klasifikuar si term mjekësor: “Pajisje e veçantë kundër bllokimit të urinës”, dhe u stepa. Përkufizimi është i pasaktë. Para së gjithash, sepse KATETERI është një lloj TUBI, që futet në trup për të realizuar funksione dhe procedura të ndryshme – kardiovaskulare, urologjike, gastro-intestinale, neuro-vaskulare dhe oftalmike. Zakonisht, ka formën e një tubi të hollë, të përkulshëm; dhe shërben edhe për kullimin e lëngjeve, edhe për dërgimin e lëngjeve të ndryshme, përfshi edhe barnat, atje ku duhet. Ka edhe kateterë që përdoren në procedura kirurgjikale ose diagnostike.
Përkufizimin “pajisje e veçantë kundër bllokimit të urinës” duket sikur e ka bërë një jo-specialist; madje edhe sikur të ishte fjala vetëm për kateterin urinar, i cili përdoret për të nxjerrë urinën nga fshikëza. Ky është edhe përdorimi më i lashtë i kateterit – por le të mbajmë parasysh se kateterizimi kardiak u adoptua që në vitet 1920. Gabimi këtu është jo thjesht ngaqë kateteri kufizohet me përdorimin urinar (pars pro toto); por sepse lë jashtë çfarë është thelbësore te kateteri – dhe pikërisht që është një lloj tubi që futet në trup, për gjithfarë synimesh terapeutike dhe diagnostike.
Për ngushëllim, po shtoj se Fjalori i 1980-ës nuk e përmban këtë fjalë fare, prandaj kemi të bëjmë gjithsesi me një hap përpara (madje në drejtimin e duhur).
Për arsye të pasqaruara, Fjalori i madh parapëlqen të përdorë termin e vjetruar KOLESTERINË ndaj të sotmit KOLESTEROL; ky është megjithatë progres, në krahasim me Fjalorin e 1980-ës, i cili KOLESTEROL nuk e ka përfshirë fare në fjalës dhe është mjaftuar me KOLESTERINËN.
Kjo e fundit, në Fjalorin e tanishëm shpjegohet si “lëndë organike me përmbajtje dhjamore, që gjendet me shumicë në yndyrnat, në të verdhën e vezës, etj., e cila shkakton sëmundjen e arteriosklerozës dhe të hipertensionit; shkalla e përmbajtjes së kësaj lënde në organizëm”.
Cilido mjek mund ta shohë se ky përkufizim është në masën më të madhe i gabuar. Para së gjithash, ngaqë kolesteroli gjendet në indet shtazore – jo bimore; dhe në yndyrnat shtazore, jo yndyrnat në përgjithësi. Veç kësaj, kolesteroli nuk e shkakton drejtpërdrejt hipertensionin, por vetëm kontribuon në të; e njëjta gjë vlen edhe për arteriosklerozën. Në përkufizim mund të thuhej edhe se kolesterolin e prodhon kryesisht mëlçia, është mjaft i përhapur në trup dhe shërben, mes të tjerash, si përbërës i membranave qelizore dhe si prekursor i vitaminës D dhe i hormoneve steroide.
Besoj se ka një lidhje midis faktit që Fjalori i madh parapëlqen një term të vjetruar, kolesterinë ndaj atij të sotmit kolesterol; dhe faktit tjetër që përkufizimi i këtij termi në fjalor lë shumë për të dëshiruar.
Shumë nga ata si unë, që janë rritur duke lexuar romane me aventura detare dhe eksplorime të përtej-oqeanit, do ta mbajë mend skorbutin, atë sëmundje që kapte marinarët e ushqyer keq, të udhëtimeve të largëta, dhe që e luftonin zakonisht duke u dhënë të sëmurëve lëng limoni, kur mungonin frutat dhe perimet e freskëta. Edhe pse skorbuti u pat kuruar me agrume që në shekullin XVIII, vetëm në vitet 1930 u zbulua se kjo sëmundje shkaktohej nga mungesa (mangësia) e vitaminës C në dietë.
Hartuesit e Fjalorit të madh nuk duket ta kenë ditur këtë – sa kohë që SKORBUTIN e përkufizojnë si “sëmundje që shfaqet me dobësi trupore të përgjithshme dhe me rrjedhje gjaku sidomos nga mishi i dhëmbëve, si pasojë e mungesës së vitaminave në ushqim.” Kaq. Asnjë fjalë për vitaminën C, si faktor specifik të ndërlidhur me sëmundjen.
Që të mos harroj: përkufizimin e SKORBUTIT Fjalori i madh e ka marrë verbatim nga Fjalori i 1980-ës:
Sëmundje që shfaqet me dobësi trupore të përgjithshme dhe me rrjedhje gjaku sidomos nga mishi i dhëmbëve, si pasojë e mungesës së vitaminave në ushqim. Sëmundja e skorbutit. Vuan nga skorbuti.
Por kjo nuk do të thotë se hartuesit e Fjalorit të tamishëm mund t’ia faturojnë Fjalorit tjetër gabimin; thjesht kanë gabuar dyfish.
Këtë historizëm Fjalori e përkufizon si “1. Fushatë ushtarake e feudalëve të Europës Perëndimore në Lindjen e Afërme gjatë shekujve XI-XIII për të shpëtuar vendet e shenjta dhe krishterimin. 2. Edhe fig. Vrasje masive, krime lufte; shkatërrim dhe vuajtje; mizori.”
Në Fjalorin e 1980-ës përkufizimi ka këtë formë: “1. kryes. hist. Fushata ushtarake me qëllime pushtuese, që bënin gjatë shekujve XI-XIII në Lindjen e Afërme etj. feudalët e Evropës Perëndimore, të nxitur nga kisha katolike gjoja për të shpëtuar vendet e shenjta ose krishterimin nga të pabesët. 2. Fushatë e egër ushtarake a politike që ndërmerr një shtet agresiv kundër një shteti tjetër. Kryqëzatat e imperialistëve.”
Këtu “fushatë ushtarake” është e saktë, por jo që këtë e ndërmerrnin “feudalët e Europës Perëndimore”; synimi i kryqëzatave ishte, në parim, (ri)pushtimi i Tokës së Shenjtë dhe ato frymëzoheshin, nxiteshin dhe sanksionoheshin nga Kisha Katolike; ishin luftëra të shenjta, veçse jo “për të shpëtuar vendet e shenjta” dhe aq më pak “krishterimin”, por për marrjen në kontroll të Tokës së Shenjtë, në thelb të Jerusalemit, prej sundimtarëve myslimanë.
Edhe kuptimi 2., “vrasje masive, krime lufte; shkatërrim dhe vuajtje; mizori” është i pasaktë; sepse kryqëzata, në kuptim figurativ, është edhe ajo një fushatë në emër të një ideali, që synon ndryshimin politik, social ose religjioz – mund të sjellë krime lufte, vrasje masive, shkatërrim dhe vuajtje, mizori, por mund edhe të mos sjellë.
Për mua, autorët e këtij përkufizimi e kanë marrë nga Fjalori i 1980-ës, por kanë dashur ta pastrojnë nga ideologjia anti-fetare e asaj vepre dhe e kanë ngatërruar më keq.
Fjalori e përkufizon ekspertizën si “Hetimi, shqyrtimi a vlerësimi që bën eksperti për një çështje; raporti që jepet pas këtij hetimi a shqyrtimi.”
Përkufizimi është i saktë, por fjalës i mungon një kuptim i dytë, me të cilin po përdoret gjithnjë e më shpesh: “zotësi ose njohje e specializuar në një fushë të caktuar”; ose edhe më thjeshtë “zotësia e një eksperti”. Për shembull: na mungon ekspertiza në shpimet nënujore, ose FShDPAK ka nxitur dhe njëkohësisht ka ofruar ekspertizë teknike në hartimin e Planeve Vendore për Aftësinë e Kufizuar në disa Bashki.
Ironikisht, fjala ekspertizë me këtë kuptim të dytë të paregjistruar del në përkufizimin e mbiemrit EKSPERT në Fjalor: “Që ka ekspertizë në një fushë të veprimtarisë.”
Fjalori e përkufizon KAPITALIZMIN si “Rend ekonomik e shoqëror që mbështetet në pronën private, në iniciativën krijuese të individit dhe në tregtinë e lirë; sistem a regjim që zhvillon aftësitë e çdo njeriu, rrit fitimin, të ardhurat dhe mirëqenien e qytetarëve; sistem i ekonomisë së lirë të tregut. Përfitimet (të mirat) e kapitalizmit.”
Ky përkufizim të mbush me entuziazëm për kapitalizmin. Sidomos po ta krahasosh me përkufizimin e së njëjtës fjalë, në Fjalorin e vitit 1980:
Sistem ekonomiko-shoqëror, në të cilin mjetet e prodhimit janë pronë private e klasës së kapitalistëve, që shfrytëzojnë egërsisht punëtorët me mëditje dhe pasurohen duke përvetësuar mbivlerën; formacioni i fundit ekonomiko-shoqëror me klasa antagoniste, që zëvendësohet nga rendi socialist nëpërmjet revolucionit dhe diktaturës së proletariatit.
Ky i dyti është edhe përkufizim (marksist), edhe program; sepse nuk mjaftohet t’i japë fjalës kuptimin, por edhe e integron këtë kuptim në të ardhmen historike të dukurisë përkatëse.
Çuditërisht, fjalorë të tjerë të gjuhëve të mëdha nuk janë dhe kaq të rrëmbyer kur përkufizojnë KAPITALIZMIN.
Garzanti: sistema economico e sociale nel quale i mezzi di produzione appartengono a chi possiede grandi capitali.
Termine, originariamente introdotto dalla critica socialista e poi generalmente accolto dalla scienza e dalla storiografia economica, col quale si indica il sistema economico e sociale giunto a maturazione nel 19° secolo, caratterizzato da ampia e sistematica applicazione di capitale di proprietà privata alla produzione, al fine di destinare il surplus al successivo ciclo produttivo anziché al consumo, dalla libera concorrenza su tutti i mercati e dalla separazione tra classe detentrice dei capitali e classe dei lavoratori.
Gemini (AI, që mbështetet në një artikull të IMF):
Capitalism is an economic system based on private ownership of the means of production (factories, mines, businesses) and their operation for profit. Key characteristics include voluntary exchange, competitive markets, and price determination through supply and demand rather than state control. It encourages innovation and capital accumulation, though it can lead to wealth inequality.
Google (që e nxjerr përkufizimin nga Oxford languages):
An economic and political system in which a country’s trade and industry are controlled by private owners for profit.
an economic system characterized by private or corporate ownership of capital goods, by investments that are determined by private decision, and by prices, production, and the distribution of goods that are determined mainly by competition in a free market
1. Statut juridique d’une société humaine caractérisée par la propriété privée des moyens de production et leur mise en œuvre par des travailleurs qui n’en sont pas propriétaires.
2. Système de production dont les fondements sont l’entreprise privée et la liberté du marché.
3. Système économique dont les traits essentiels sont l’importance des capitaux techniques et la domination du capital financier.
4. Dans la terminologie marxiste, régime politique, économique et social dont la loi fondamentale est la recherche systématique de la plus-value, grâce à l’exploitation des travailleurs, par les détenteurs des moyens de production, en vue de la transformation d’une fraction importante de cette plus-value en capital additionnel, source de nouvelle plus-value.
Mes tipareve thelbësore të kapitalizmit, pronësia private ndaj mjeteve të prodhimit, sundimi i kapitalit financiar, liria e sipërmarrjes private, synimi për të nxjerrë fitime dhe tregu i lirë duken si më të rëndësishmet. Përkundrazi, pjesë të përkufizimit tonë, si “zhvillon aftësitë e çdo njeriu”, “rrit fitimin, të ardhurat dhe mirëqenien e qytetarëve” nuk tregojnë gjë tjetër veç një përkushtimi ideologjik pa vend – dhe disi të habitshëm në një Fjalor si ky, që është hartuar me fonde publike, nga një institucion publik.
© 2026 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi ilustrues është realizuar me AI. Botohet me leje te TemA.
Lini një Përgjigje