Besimtarë ortodoksë e katolikë kremtojnë Pashkët në mbarë vendin

20 Prill 2025, 13:10Kulturë TEMA
Besimtarë ortodoksë e katolikë kremtojnë Pashkët

Besimtarët e krishterë, katolikë, ortodoksë e ungjillorë kremtojnë sot (20 prill) festën e Pashkës, ringjalljen e Jezu Krishtit.

Këtë vit Pashkët ortodokse dhe katolike festohen në të njëjtën ditë. Ndërsa veza e kuqe është një veçori karakteristike e kësaj feste.

Besimtarët ortodoksë kremtuan festën e pashkëve në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Korçë, qytet i cili ka krijuar një traditë të veçantë në festimin e kësaj dite. Mesha u udhëhoq nga At Ilia Kotnani, dhe në mesnatë ai shpalli ringjalljen e Jezu Krishtit, e shoqëruar me tingujt e këmbanave dhe qirinj të ndezur me dritën që simbolizon shpresën.

Ashtu si çdo vit, qyteti i Korçës është kthyer në një nga pikat referuese të të gjithë besimtarëve ortodoksë dhe jo vetëm, që e zgjedhin për të kaluar festën e Pashkëve.

Në Sarandë, mbrëmjen e së shtunës, atmosfera festive dhe shpirtërore mbërthye Kishën Ortodokse “Shën Harallambi”, ku qindra besimtarë u mblodhën për të kremtuar Ringjalljen e Krishtit, një nga festat më të rëndësishme të kalendarit fetar.

Ceremonia ka nisur në orët e vona të mbrëmjes me meshën e shenjtë dhe është kulmuar me momentin e shumëpritur të marrjes së dritës së bekuar, simbol i fitores së jetës mbi vdekjen dhe i shpresës së re. Në një atmosferë solemniteti dhe gëzimi, besimtarët kanë mbushur oborrin dhe ambientet e brendshme të kishës me qirinj të ndezur në dorë, duke përcjellë mesazhin e paqes, dashurisë dhe besimit. At Kozmai, gjatë predikimit të tij, theksoi rëndësinë e Ringjalljes si një moment reflektimi shpirtëror dhe ripërtëritjeje të vlerave të besimit, mirësisë dhe mëshirës. Ai uroi që kjo festë t’u sjellë të gjithëve paqe në zemër dhe forcë për të përballuar sfidat e jetës.

Vigjilja e Pashkës është kremtuar edhe në kishën katolike të shenjtërve “Pjetri e Pali” në Lushnjë.
Qindra besimtarë katolikë kanë marrë pjesë në liturgjinë e drejtuar nga dom Paulini. Kremtimet filluan në oborrin e kishës pranë zjarrit që u bekua dhe në fund u ndez qiriu që simbolizon zotin Jezu Krisht.

Pas hyrjes në kishë, të gjithë pjesëmarrësit morën dritë nga drita e zotit Jezu Krisht.

Kremtimet e Pashkës vijuan me meshën e shenjtë në kishën e shenjtërve “Pjetri e Pali”, ku besimtarët u lutën për paqe e begati në familje dhe uruan njeri-tjetrin për jetën që rilind pas vdekjes dhe fitoren e dritës mbi errësirën.

Drita e Krishtit u përcoll nga besimtarët edhe në katedralen “Nënë Tereza” të dioqezës së Sapës, në Vau-Dejës. Kreu i Kishës Katolike në veri të Shqipërisë, ipeshkvi Monsinjor Simon Kulli, i ftoi besimtarët që të ndjekin shembullin e mirë të jetës duke u larguar nga e keqja, pasurimi i menjëhershëm, dhuna, konfliktet dhe vrasja.

Edhe në kishat katolike të Pukës dhe Fushë-Arrëzit, besimtarët katolikë pritën çastin e gëzueshëm të Ringjalljes me shpresën për një botë më të mirë.

Famullitarët e Kishës Katolike në këtë zonë, Dom Zef Marku dhe frat Andreas Ëalterman, u ndalën te bota e trazuar në të cilën jetojmë, duke i ftuar besimtarët të jetojnë sipas shembullit të Krishtit, si e vetmja mënyrë për të arritur faljen dhe paqen.

Besimtaret ortodoksë gjirokastritë kanë kremtuar mbrëmjen e djeshme duke u gdhirë dita e sotme Ringjalljen e Krishtit.

Katedralja e “Ngjalljes së Krishtit” ka mbledhur me qindra besimtarë duke uruar njëri-tjetrin- “Krishti u Ngjall”.

Kambana e kishës ka tingëlluar fort në momentin kur akrepat e orës shënuan ardhjen e ditës së re dhe simbolikisht Ringjalljen e Krishtit.

Mesha e organizuar nga klerikët ortodoksë vendas në ambientet e jashtme të katedrales, u përcoll nga besimtarët e shumtë të cilët nxitonin të ndezin qiririn në shenjë mbarësie për ringjalljen e një epoke të re.

Në Lezhë, në katedralen e “Shën Nikollit”, besimtarët e krishterë me qirinjtë e lutjes në duar, që simbolizojnë dritën e përjetshme, kremtuan pashkët.

Rituali i cili zgjati deri në mesnatën e së shtunës, u drejtua nga ipeshkvi i Dioqezës së Lezhës monsinjor Otavio Vitale i cili në fjalën e tij para besimtareve, duke ju referuar simbolikës së festës së pashkëve tha kjo është natë që shpëton mbi tokë besimtaret dhe Jezu Krishtin nga mëkati dhe korrupsioni i botes.

Pas meshës së shenjtë besimtarët e Krishterë janë drejtuar në shtëpitë e tyre me dritën e jetës dhe mesazhin Krishti u ringjall. Pashkët janë festa me e madhe e kalendarit liturgjik të Kishës Katolike dhe të kishave te tjera te krishtera, te cilat festojnë Ringjalljen e Jezusit, sikundër e tregon Besëlidhja e Re.

Qindra besimtarë ortodoksë iu bashkuan meshës së shenjtë të Pashkëve në kishën e Shën Gjergjit në Fier. Mesnata që shënoi edhe ringjalljen  e Krishtit kulmoi në sheshin jashtë oborrit të kishës, ku të gjithë besimtarët ndriçuan qytetin me dritën e Zotit, me qirinj në duar.

Pas meshës ata kryen edhe ceremoninë e thyerjes së vezëve të kuqe me urimin “Krishti u ngjall”.

Në mesazhin e tij mitropoliti i Apollonisë dhe Fierit, Hirësia e tin, Imzot Nikolla Hyka,  i cili drejtoi edhe meshën e madhe, theksoi se ngjallja e Krishtit është një premtim se fitorja finale i përket të mirës dhe jo të keqes, teksa vuri theksin edhe te rëndësia e dashurisë, paqes dhe unitetit në këtë periudhë të shenjtë.

Në Vlorë besimtarët e krishterë i janë drejtuar Kishës së Shën Theodhorit.

Ndërsa kanë pritur mesnatën duke marrë edhe flakën e shenjtë nuk ka munguar urimi Gëzuar Pashkët.

Urimi është përcjellë pas meshës nga At Konstandin Prifti si edhe nga besimtarët vlonjatë.

Kisha e Shën Theodhorit në Vlorë priti qindra besimtarë të pranishëm në meshën e shenjtë dhe me urimin për më shumë dashuri.

Për të gjithë besimtarët ortodoks në qytetin e Beratit, mesnata e së shtunës solli lajmin e gëzuar se “Krishti u ngjall”, e bashkë me të u ringjall edhe shpresa për jetën. Ceremonia e Pashkës në Berat u kremtua në Katedralen “Shën Dhimitri” nga Imzot Asti, i shoqëruar nga At Johan Qako dhe At Petraq Simsia.

Mesha e ringjalljes s Krishtit u shoqërua me lutjet sipas liturgjisë, me lutje ndaj Zotit dhe duke respektuar të gjitha ritet e kësaj feste. Më pas, besimtarët ortodoksë morën dritë nga drita e Zotit, duke ndezur qirinj, dritë që çdo besimtar ortodoks e përcjell me vete në shtëpinë e tij, si shenjë mirësie dhe për të marrë bekimin e Zotit.

Mesnata, që shënoi edhe ringjalljes e Krishtit, kulmoi në sheshin qendror të qytetit, jashtë Katedrales “Shën Dhimitri”, ku të gjithë besimtarët ndriçuan qytetin me dritën e Zotit, me qirinj në duar. Besimtarët ortodoksë beratas uruan të gjithë besimtarët ortodoksë në të gjithë Shqipërinë për më shumë paqe, begati e mirësi në çdo familje shqiptare.

/atsh/

2 Komente

  1. K
    Kauri

    GEZUAR PASHKET ORTHODHOKSET,,KRISTOS ANESTI,,,TE GEZOJNE EMRAT ,,,ANESTI ,LLAMBRO ,LLAMBRINI ,TASO ,ANASTASI ,,,,AMIN

    Përgjigjjuni
    1. D
      Dashi

      Jo kauri more po kristiani , kauri është fjalë turke ofenduese për kristianët .

      Përgjigjjuni

      Lini një Përgjigje