Botimi i «Kundërshtarit » të Emmanuel Carrere në shqip

21 Shkurt 2024, 09:05Kulturë TEMA
Botimi i «Kundërshtarit » të Emmanuel Carrere në

Emmanuel Carrere është sjellë në shqip nga botime “Odeon”. Libri në Tiranë gjendet vetëm në platformën “Bukinist” ose te Galeria “Zenit” apo Libraria “Dritëro”. Është historia e një mashtruesi. Është historia e një vrasësi. Një njeriu që merr jetë dhe jeton në një gënjeshtër.

Pse na tërheqin kaq shumë këto histori? Ndoshta është pak koha për reflektim shoqëror. Libra të tillë janë të aftë të nxisin mendimin dhe shkrimin, reflektimin dhe kritikën, pa dashur të biem në klishe të zakonshme apo në kitsch. Sigurisht që libri nuk është një rrëfim i mërzitshëm.

Është një rrëfim gazetaresk por në të njëjtën kohë nuk është publicistik. Tërheqës nga subjekti por dhe nga stili i rrëfimtarit ai e mban lexuesin e mirë pa gjumë. E mban të ngulur në kolltuk si me thënë. Personazhi kryesor i librit është Zhan-Klod Romand, një mashtrues dhe më vonë vrasës i cili për tetëmbëdhjetë vjet u shtir sikur punonte në OBSH, sikur kishte studiuar për mjekësi dhe më vonë e vazhdoi gënjeshtrën dhe pasi u martua dhe u bë me fëmijë.

Çdo ditë, në vend që të shkonte në punë, Zhan-Klodi blinte të gjitha gazetat që mund të gjente dhe i lexonte brenda makinës së parkuar. Jetonte duke mashtruar me kursimet e prindërve, dhe kur ishte gati të ekspozohej, bënte si i sëmurë rëndë. Në fund vrau familjen, vrau gruan, prindërit dhe fëmijët. Të gjithë miqtë e tij e dinin për njeri të ndershëm dhe të punës, studioz dhe të aftë. Pse ky personazh atëherë zgjodhi të jetonte nje gënjeshtër?

Ose, më mirë, a kishte zgjidhje tjetër përveçse të jetonte një gënjeshtër? Këto janë pyetjet që rreket ti përgjigjet Emmanuel Carrere përgjatë takimeve dhe korrespondencës me vetë Zhan-Klodin. Unë personalisht mendoj se ai vetë, të them të drejtën, nuk është aq e thjeshtë të thuhet se ishte “kundërshtari” i vetvetes. Ka diçka më tepër aty, dhe për këtë duhet lexuar libri. A.K./TemA

Lini një Përgjigje