Botohet në shqip vëllimi me poezi të zgjedhura nga Adam Zagajewski

13 Maj 2024, 17:33Kulturë TEMA
Botohet në shqip  vëllimi me poezi të zgjedhura nga Adam

Adam Zagajewski, një nga poetët më të rëndësishëm bashkëkohorë polakë, u lind më 21 qershor 1945 në Lvov (tani Lviv, në Ukrainë). Familja Zagajewski u dëbua nga Lvovi po atë vit në qytetin e Glivices si pjesë e politikës sovjetike të pasluftës. Studioi për psikologji dhe filozofi në Universitetin Jagiellonian në Krakov.

Në vitin 1967, bëri debutimin e tij poetik me poezinë Music, të botuar në revistën «Życie Literackie». Bashkëpunoi me revista të tilla si «Odra» (1969-1976) dhe «Twórczość» (1969, 1971-1973). Gjatë kësaj kohe, u përfshi në lëvizjen letrare Vala e Re («Nowa fala»), e njohur ndryshe edhe si Brezi i ‘68-ës, që synonte «të ngrihej kundër falsifikimit të realitetit dhe përvetësimit të gjuhës nga ideologjia dhe propaganda komuniste». Pas nënshkrimit të letrës së ’59-s, veprat e tij u ndaluan nga autoritetet komuniste në Poloni. Në vitin 1982, emigroi në Paris. U kthye në Poloni në vitin 2002, dhe banoi në Krakov, ku edhe vdiq më 21 mars 2021, në moshën 75 vjeçare.


Vepra letrare e Zagajewskit është përkthyer në shumë gjuhë të botës dhe është nderuar me disa nga çmimet më të rëndësishme letrare, si Çmimin Ndërkombëtar për Letërsinë Neustadt (2004), Çmimin Griffin për Poezinë (2016), Çmimin Princesha e Asturias për Letërsinë (2017) dhe Kurorën e Artë të Poezisë në Mbrëmjet e Poezisë në Strugë (2018).


Vepra: Poezi: Komunikatë (1972), Dyqanet e mishit (1975), Letër. Ode për madhështinë (1983), Të shkosh në Lvov (1985), Kanavacë (1990), Toka e zjarrit (1994), Tre engjëj/Three Angels (botim dyghuhesh, 1998), Dëshirë (1999), Kthimi (2003), Antena (2005), Dora e padukshme (2009), Poezi të zgjedhura (2010), Asimetri (2014), Aeroporti në Amsterdam/Airport in Amsterdam (botim dygjuhësh i poezive të zgjedhura, 2016), Jeta e njëmendtë (2019).


Prozë: Ngrohtë, ftohtë (1975), Dëgjim absolut (1979), Një vijë e hollë (1983). Ese: Bota e papërfaqësuar (1974), Fryma e dytë (1978), Solidariteti dhe vetmia (1986), Dy qytete (1991), Në bukurinë e tjetërkujt (1998), Mbrojtja e zellit (2002), Poeti kuvendon me filozofin (2007), Teprim i lehtë (2011), Poezi për fillestarët (2017), Lëndë e shprishur (2019). Me përkthim nga Azem Qazimi dhe botuar nga shtëpia botuese Zenit kjo përzgjedhje me poezi është një lexim i mirë për të gjithë dashamirët e fjalës së bukur. A.K./TemA

Lini një Përgjigje