Buzëqeshje dhe lotë, sopranoja Ermonela Jaho sjell emocione të rralla në skenën e TKOB (FOTOT)

18 Shtator 2025, 09:08Kulturë TEMA
Buzëqeshje dhe lotë, sopranoja Ermonela Jaho sjell emocione të

 Sopranoja shqiptare me famë ndërkombëtare, Ermonela Jaho entuziazmoi mbrëmjen e sotme publikun në kryeqytet, ndërsa u rikthye me koncert në skenën e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit të titulluar “Kur ndjenjat marrin zë”.

Ashtu sikundër është deviza e saj, Jaho performoi në tempullin të muzikës klasike sikur të dilte për herë të parë dhe të fundit në skenë, duke dhënë gjithçka nga shpirti dhe talenti i saj.

Salla kishte mbledhur publik të zgjedhur, nga artistë e kolegë, aktorë, regjisorë, profesionistë të fushave të artit dhe të kulturës.

“Muzika është gjuhë e shpirtit dhe në çdo notë, ka një buzëqeshje, lot, hidhërim, vuajtje”, u shpreh Jaho përpara koncertit dhe të gjitha këto variacione të shpirtit njerëzor u ndjenë nga publiku në veprat e interpretuara.

Me figurën e saj elegante, veshur bardhezi, Jaho arriti të mbante “peshë” publikun nga fillimi deri në fund.

Koncerti i mbrëmjes së sotme ishte i veçantë për sopranon, pasi rikthehej në skenën e TKOB për të dhënë nga eksperienca e saj, tashmë e jashtëzakonshme edhe në skenat botërore.

Ashtu si çdo herë kur kthehesh në shtëpi, sepse skena e TKOB është e atillë për Jahon, edhe këtë herë ajo solli shumëçka nga jeta e saj.

Programi i zgjedhur ishte pak ndryshe, duke filluar me Belganton, një program sfidues i paluajtur më parë në TKOB.

Kjo veçanti e koncertit ishte dhe një nga shtysat që mbushi plot sallën e madhe, ndërsa nuk mungonin të rinjtë që ashtu si Ermonela dikur, shpresojnë të ndjekin ëndrrat e tyre drejt skenave të botës.

Koncerti “Kur ndjenjat marrin zë” erdhi nën dirigjimin e maestro Fabrizio Maria Carminati, dhe me pjesëmarrjen e korit dhe orkestrës së TKOBAP-së.

Sopranoja shqiptare Ermonela Jaho është ndër zërat brilantë, me karrierë të suksesshme. Me albumin e saj “Anima Rara” dalë në treg në shtator 2020,  ajo ka marrë vlerësime të shumta.

Sopranoja shqiptare Ermonela Jaho fitoi edhe çmimin “Artistja e huaj më e mirë” për vitin 2023, për interpretimin e “Suor Angelica” në Barcelonë. /atsh/

Lini një Përgjigje