
Feminizmi nuk është shpikje e vonë, e viteve të fundit dhe as nuk është “pronë private” e shoqatave. Feminizmi i përket të gjithëve dhe i ka përkitur të gjithëve qysh në krye të herës.
Kjo është dhe tema e librit « Damka e turpit » nga Nathaniel Hawthorne që është dhe ekranizuar disa herë, më së fundmi me titullin “Easy A”.
Libri rrëfen historinë e Hesterit, një gruaje të persekutuar nga fshati për shkak të një marrëdhënieje jashtëmartesore dhe një fëmijë që erdhi si pasojë e kësaj marrëdhënieje. Hesteri turpërohet publikisht dhe detyrohet të mbajë gjithmonë të qepur në rroba shenjën “A”, gërma e parë e “adultery”, në anglisht “tradhti bashkëshortore”.
I gjithë libri zhvillohet në një kohë kur shumica e popujve ishin analfabetë dhe injorantë, përfshirë këtu dhe atë amerikan, që sot është pishtari që udhëheq botën.
Libri ka për tema idhujtarinë fetare, mëkatin dhe fajin, dhe është kthyer në një klasik të menjëhershëm të letërsisë amerikane, është futur në listat e shkollave dhe Hawthorne-i vetë mbahet si një prej “patriarkëve” të letërsisë amerikane.
Tema e tij është universale dhe me thënë të drejtën më kujton gjuetitë e shtrigave dhe akoma më keq, skllavërinë e racizmin, dy plagë që shoqëria njerëzore i kaloi me shumë mund e djersë.
Feminizmi sot është zhvilluar shumë, ka protesta, ka ligje, ka televizione e Gazeta ku pjesa “më e dobët” e shoqërisë mund të gjejnë zërin e tyre, por megjithatë ka forca të errëta të shoqërisë që ngulmojnë në pabarazi dhe dhunë e shtypje. Forca, që nuk do të shuhen ndonjëherë, do të thoshte Sokrati. Lufta me këto forca është një betejë e përditshme. Prandaj herën tjetër që të shihni një grua me minifund dhe taka të larta duhet të jeni të parët ju që të mos gjykoni dhe nxitoni për ta cilësuar “shih kjo…”.
Libri “Damka e turpit” është botuar nga Pegi dhe përkthyer nga i madhi Amik Kasoruho.
Lini një Përgjigje