Dhimiter Anagnosti dhe kapërcimi i kufirit të vdekjes

2 Shtator 2025, 12:32Kulturë TEMA
Dhimiter Anagnosti dhe kapërcimi i kufirit të vdekjes

nga Luan Rama

---
Lexova sot lajmin e dhimbshëm dhe ripashë fotografinë e mikut të vjetër në media të ndryshme, mesazhe dashurie dhe krenarie për regjisorin e mrekullueshëm, emblemën më të shndritshme të kinematografisë shqiptare dhe menjëherë thashë: Ja një njeri që kapërcen kufirin e vdekjes! Ja një i vdekur i gjallë!

Thashë kështu sepse Anagnosti kaloi një jetë të lumtur dhe shumë pasionante duke krijuar atë që donte, me gjurmën e identitetit të tij dhe një frymë nacionale që spikati kudo. Kishte fatin e talentit dhe të vullnetit dhe krijoi atë që donte duke menduar gjithnjë për vlerën dhe misionin e artit, edhe pse përmes pengesash dhe një lufte ndaj çenzurës së kohës. Në jetën efemere ka njerëz që shuhen dhe humbasin në humbëtirën e gjithësisë, ka shpirtra të tjerë që jetojnë dhe pas vdekjes, pasi largimi i tyre i rreziston humbëtirës, pasi vazhdon të jetojë vepra e tyre.

Mugëtira e çastit largohet, ashtu si dhe lotët, trishtet familjare e shoqërore por vepra vazhdon të shkëlqejë dhe ne shohim e do të shohim gjithnjë përmes saj portretin e tij, do ndjejmë frymën e tij, siç ka ndodhur me artistë të mëdhenj të kinematografisë botërore, siç ndodhi me Ejzeshtainin që adhuronte kur ishte në studimet kinematografike, me Tarkovskin e gjeneratës së tij, Paraxhanovin gjeorgjian, me një Luchino Visconti, Fellini, me të mëdhenjtë e kinematografisë amerikane, angleze, franceze, japoneze, etj.

Përmes filmave që shfaqen ne i ndjejmë artistët, ndjejmë pulsimin e shpirtit të tyre artistik. Dhe unë që e kam njohur në Kinostudio vite me rradhë, duke kujtuar ardhjen e tij në Paris dhe prezantimin e filmave në Qendrën Ndërkombëtare të Kulturës “Georges Pompidou” e rishoh këto çaste pranë kameras, Arriflex-it me të cilën realizoi veprat e tij të shquara, ndjej zhurmën e kameras, 24 kuadro në sekondë, aty ku në dhomën e errët fiksohej magjia e tij, ajo që krijohej jashtë kameras në sheshet e xhirimit dhe dekoret, regjisori dhe aktorët, imazhet e animuara për rikrijimin e jetës dhe historisë në mënyrë besnike e simbolike njëherësh, filma ku gjithnjë do të ndjejmë praninë e tij dhe shëmbullin e krijimit. Dhimitër Anagnosti e kapërceu kufirin e vdekjes për të mbetur në historinë e artit!

Lini një Përgjigje