Ekonomia e Vëmendjes, Vetmisë dhe Zemërimit

22 Shkurt 2024, 22:15Kulturë Bjorn Runa

Ekonomia e Vëmendjes, Vetmisë dhe Zemërimit


Nuk ka dyshim se vëmendja është valuta më e çmuar e kohës në të cilën jetojmë. Vlera e saj rritet sa herë që ndërveprojmë me algoritmet, të cilat duket sikur njohin edhe skutat më të paeksploruara të vetëdijes tonë. Është ky rezultat i një procesi të gjatë e kompleks, ku algoritmet duket se na trajnojnë, që t’i trajnojmë, që të na njohin më mirë, për të na formësuar më pas dëshirat.

Në terrenin e botës digjitale,  ku konkurrenca për vëmendje bëhet gjithmonë e më agresive, TikTok-u ka arritur të dominojë, duke ngërthyer vëmendjen e miliona njerëzve përmes formatit të videove të shkurtra dhe mundësisë për të lundruar në një oqean të pafundëm videosh. Njëkohësisht, në botën e konsumit të shpejtë digjital, një fenomen i errët duket se po bëhet gjithmonë e më i ndjeshëm: “Rage Bait.”  I përshtatur lirshëm në shqip, termi nënkupton një lloj karremi për të kapur ose nxjerrë në sipërfaqe zemërimin. Në botën e medias digjitale, “Rage Bait” nënkupton publikimin e përmbajtjeve me synim zemërimin apo acarimin e sa më shumë njerëzve, për t’i shtyrë ata të ndërveprojnë përmes pëlqimeve dhe komenteve. Kjo varion nga publikimi i deklaratave qëllimisht keqinformuese, deri tek opinionet kontraverse, që synojnë nxitjen e debateve të ashpra. Një tjetër fenomen i lidhur ngushtësisht me “Rage Bait” është edhe “Rage Farming,” që nënkupton një përpjekje sistematike për kultivimin e zemërimit, duke synuar rritjen e ndërveprimit të përdoruesve me përmbajtjen online.

Ndonëse këto fenomene kanë ekzistuar qysh prej fillimit të opinion-bërjes publike, ndikimi i tyre është rritur me lindjen e mediave sociale. Në thelb, “Rage Bait” vepron mbi parimet e sensacionalizmit dhe polarizimit. Portalet, blogerët dhe influencuesit, ndërtojnë me kujdes narrativa për të provokuar reagime të ekzagjeruara emocionale. Këto reagime, përgjithësisht të nxitura nga zemërimi dhe furia, i shtyjnë përdoruesit të ndërveprojnë me përmbajtje, që në rrethana të tjera do të kishin zgjedhur ta injoronin. Thënë ndryshe, “Rage Bait” shfrytëzon tema përçarëse dhe çështje sa më të ndjeshme për të prekur në mënyrë të qëllimshme telat e zemërimit dhe të furisë së përdoruesve të mediave sociale. Synimi nuk është informimi e as edukimi, por provokimi për të rritur ndërveprimin, e për rrjedhojë, fitimin e krijuesve të këtyre përmbajtjeve dhe, natyrisht edhe të vetë platformave digjitale.

Kohët e fundit, në shoqërinë shqiptare janë raportuar edhe një sërë rastesh dhune, që shpesh kanë çuar në humbje jete, të cilat pikënisjen e tyre duket se e kanë tek mediat sociale e më specifikisht, TikTok-u. Kjo ka bërë që shumë vetë të kërkojnë publikisht mbylljen, apo bllokimin e këtij rrjeti social me shpresën se kjo do të ndalojë, ose të paktën do të ulë numrin e rasteve të dhunës. Çdokush që e njeh sadopak botën online e kupton se kjo është e pamundur të arrihet. Përdoruesit do të gjejnë gjithmonë mënyra për të aksesuar platformat që duan të aksesojnë.

Për më tepër, dhuna në shoqërinë tonë nuk lind me TikTok-un e as nuk është amplifikuar prej tij. Ndoshta ky rrjet social e ka bërë më të dukshme, duke marrë parasysh se sa agresivitet duhet të tregosh në mënyrë të vazhdueshme për të tërhequr e mbajtur vëmendjen e të tjerëve, krahasuar me media të tjera sociale, që ndoshta bëjnë një punë më të mirë për ta maskuar agresivitetin, por kurrsesi nuk e ndalojnë atë. Dhuna e shfaqur në botën virtuale shqiptare, pasojat e së cilës shtrihen në jetën reale, është në fakt vetëm një zgjatim i dhunës dhe brutalitetit që shfaqim pikërisht në jetën e përditshme. Është një përzierje e dëshirës për popullaritet, frustrimesh morale, shoqërore e ekonomike, që kanë ekzistuar dhe me gjasë do të vazhdojnë të dominojnë jetët tona për një kohë të gjatë, edhe jashtë botës së mediave sociale. Është gjithashtu deformim i një sërë fenomenesh globale, që përthyhen në filtrat e kulturës tonë lokale, për të dhënë rezultatet që japin.

Rritja e fenomenit “Rage Baiting” është simptomë e një trendi më të gjerë, që kërkon të shfrytëzojë emocionet për përfitim. Shoqëritë e sotme, ndonëse tejet të ndërlidhura falë teknologjisë, priren të jenë gjithmonë e më të izoluara dhe më të vetmuara. Vende të ndryshme, nga perëndimi në lindje (Britania e Madhe, SHBA, Gjermania, Japonia, Kina, etj.), kanë shprehur shqetësim për “krizën e vetmisë” dhe vitet e fundit, disa shtete kanë krijuar ministri të posaçme në qeveritë e tyre për  manaxhimin e këtij problemi. Në këtë kontekst, “Rage Baiting” shërben njëkohësisht edhe si shkaktar për përkeqësimin e problemit (duke nxitur më tej ndasitë dhe izolimin), por edhe si mënyrë përfitimi nga izolimi dhe vetmia globale. Një njeri i vetmuar në dhomën e tij është më lehtësisht i manipulueshëm nga një zë përtej ekranit (me ndriçimin, veshjen dhe muzikën e duhur në sfond), që pretendon t’i japë zgjidhje problemeve të tua, pa të njohur kurrë. Zëri të tregon se si mund të bëhesh milioner (si ai), se si mund të kesh trupin e përsosur (si ai), se si duhet ta shohësh botën (si ai), ndonëse ai nuk të njeh dhe ti nuk ke parë kurrë më tepër se një cep tejet të kuruar të shtëpisë së tij. Ti nuk arrin të shohësh se ai (ashtu si ti) me gjasë ka një jetë të mjerë dhe ndan të njëjtat probleme. Ai (ndryshe nga ti) vendos të kultivojë zemërimin e të tjerëve si një mënyrë për të rritur vëmendjen dhe për të përfituar ekonomikisht. Megjithatë, pjesa që duhet t’i dorëzojë “çifligut digjital” është aq e madhe, saqë i duhet të shtojë dozën e “Rage Baiting” për të tërhequr gjithmonë e më shumë njerëz.

Është një sistem i tërë ekonomik ngritur mbi vetminë. Prej kohësh fajësojmë rrjetet sociale për premtimin e pambajtur se do të na mundësonim të jetonim në një botë më të ndërlidhur. Edhe pse të shpenzuarit e një kohe të gjatë online mund të jetë i dëmshëm, përdorimi i moderuar i mediave sociale na ndihmon të qëndrojmë të lidhur me njëri-tjetrin, veçanërisht kur jemi në distanca të largëta, apo në situata si ajo e izolimit gjatë pandemisë COVID-19.

Problemi real i ekonomisë së vetmisë është tjetërkund. Anekënd globit, njerëzit e kanë gjithmonë e më të vështirë të gjejnë kohë për të shpenzuar me familjen, për të ruajtur shoqëritë ekzisutese, e aq më pak për të krijuar të reja. Është e vështirë të gjesh kohë për njerëzit kur, për të siguruar jetesën të duhet të bësh një mori punësh njëkohësisht, të presësh me orë të tëra në trafik, të kryesh punët e përditshme brenda shtëpisë. Për rrjedhojë, socializimi merr rol dytësor, ndërsa hapësirat publike ku mund të socializohesh falas apo me kosto të ulët, bëhen gjithmonë e më të rralla. Duket sikur të paturit e një jete të mirë sociale është gjithmonë e më shumë privilegj i atyre që mund ta përballojnë ekonomikisht. Për më tepër, pabarazitë ekonomike e shoqërore vetëm sa e përkeqësojnë problemin. Ekzistojnë sigurisht lista standarde zgjidhjesh , që përfshijnë përmirësimin e manaxhimit të kohës, marrjes me sport dhe sugjerime për t’iu bashkuar klubeve të aktiviteteve të ndryshme. Megjithatë, këto s’janë veçse zgjidhje individuale për një problem kolektiv.  

Kësisoj, kultivimi i zemërimit në “TikTok,” “Facebook,” “Instagram,” etj., bëhet veçanërisht shqetësues. Duke patur parësor ndërveprimin e përdoruesve me përmbajtjen, qoftë në mënyrë sipërfaqësore apo agresive, duke nxitur ndasi vetëm e vetëm për të rritur fitimin, këto platforma ushqejnë një cikël të vazhdueshëm izolimi dhe mosbesimi. Të ngërthyer në ndjekjen e shikimeve, pëlqimeve dhe komenteve, krijuesit bëhen “me ose padashje” pjesëmarrës në një sistem që shfrytëzon vulnerabilitetin njerëzor për përfitime financiare.

Nëse do të duam t’i japim zgjidhje krizës së vetmisë dhe të krijojmë një shoqëri më pak të izoluar, duhet fillimisht t’i drejtohemi shkaqeve kryesore të vetmisë. Kjo kërkon jo vetëm që të rikonceptojmë rolin e mediave sociale por, edhe të vëmë në pikëpyetje e të sfidojmë strukturat themelore të sistemeve ekonomike, politike, e shoqërore që rregullojnë jetët tona. Deri atëherë, dëshira për fitim me çdo kusht, pa konsideruar pasojat, do të mbajë gjallë ciklin e vazhdueshëm të vetmisë dhe izolimit, nxitur nga fenomene që provokojnë zemërim dhe përçarje.

Lini një Përgjigje