Jeta dhe vepra e autorit Gabriel Garcia Marquez është ekspozuar në Bibliotekën Kombëtare Kolumbiane, në Bogota, ku një ekspozitë e titulluar “Gjithçka dihet: Rrëfimi i krijimit të Gabos”, zbulon detaje nga jeta intime e fituesit të Çmimit Nobel të vitit 1982. Publiku do të njihet me marrëdhëniet e tij me miqtë dhe rrugën drejt suksesit si shkrimtar.
“Kjo ekspozitë është për jetën dhe veprën e Gabriel Garcia Marquez, shkrimtarit më të famshëm kolumbian në botë. Përfshin shumë nga dokumentet e tij, në arkivin personal, profesional të shkrimtarit që ndodhen në Qendrën Ranson në Shtetet e Bashkuara dhe e cila është pasuruar edhe me një sasi të madhe koleksionesh, që erdhën nga vende të tjera si Spanja, Meksika, Franca. Mund të themi që kjo është ekspozita më e madhe që është bërë për jetën dhe veprën e Gabriel Garcia Marquez”, tha Alvaro Santana, kurator i ekspozitës.
Ekspozita shfaq rreth 450 dokumente, duke përfshirë dorëshkrime me tregime të shkurtra, romane, artikuj, letra personale, vizatime nga fëmijëria dhe adoleshenca, libra, revista, gazeta, foto, këngë, kostume, postera, harta, piktura, makina shkrimi.
“Është shumë emocionuese të jesh pranë të gjitha këtyre që portretizojnë punën dhe veçanërisht jetën e tij, sepse dikush bie në dashuri me Gabriel Garcia Marquez përmes librave. Është gjithashtu shumë interesante të dish gjithçka në jetën e tij personale, dhe të shohësh elementë si medalja, kostumet, të gjitha ato që na bëjnë të ndihemi më afër autorit”, tha Nicole Castillo, turiste.
Gabriel Garcia Marquez, i cili u nda nga jeta në vitin 2014 në moshën 87-vjeçare, është i njohur për kryeveprën “Njëqind vjet vetmi”, e vitit 1967 që e bëri të famshëm dhe fitoi Çmimin Nobel në Letërsi.
I arsimuar si avokat, ai punoi si gazetar dhe ishte një mik i ngushtë i udhëheqësit kubanez Fidel Castro. Interesi i Garcia Marquez për gazetarinë nuk u zbeh kurrë.
“Një nga gjërat që mund të kuptojmë në këtë ekspozitë është se si Garcia Marquez e tejkaloi letërsinë. Ai gjithashtu pati një vend të rëndësishëm në politikën e kohës së tij, duke qenë aleat i Fidel Castros, një marrëdhënie për të cilën ai u kritikua dhe u lavdërua, ose përpjekjet e tij për ta afruar Amerikën Latine me Bashkimin Sovjetik, por edhe me Shtetet e Bashkuara të Bill Clintonit apo edhe aspektin e tij si edukator, si pedagog.”
Ekspozita është e hapur deri më 2 gusht dhe hyrja është falas për të gjithë ata që dashurojnë artin e artistit kolumbian.
/Klan News/
Lini një Përgjigje