Emisioni“Një Shqipëri” në mbrëmjen e 2 majit, solli artistët që për pak ditë na prezantojnë në festivalin europian “Eurovision 2025”.
Mentor Nazarko bëri bashkë në emisionin e tij, grupin që bashkëpunoi për këngën “Zjerm”. Një grup miqsh artistë dhe që rezultuan shumë të suksesshëm. Kënga që ata sollën, vargjet e deri te klipi i veçantë, apo coveri i ri, që u publikua ekskluzivisht në “Një Shqipëri”.
Pasi njihet me idenë specifike nga dy miqtë në studio, Rubin Beqo dhe Lekë Gjeloshi, bisedës i bashkohet përmes një lidhje në Skype Adrian Paci, artisti multimedial që flet nga Kanadaja. I pyetur se se çfarë e tërhoqi për t’u bërë pjesë e projektit, Paci thotë se klipi është një dhuratë në një bashkëpunim emocional.
Adrian Paci ndan në këtë bashkëbisedim reflektime mbi artin, përkatësinë dhe fuqinë e muzikës së sinqertë, në prag të pjesëmarrjes së Kolës dhe Beatriçes në Eurovizion, me “Zjerm”.
Një dhuratë që mori jetë publike
“Nuk mund të them që jam bashkuar,” thotë Paci me përulësi. “Thjesht u kam bërë një dhuratë dy miqve të mi nga ‘Shkodra Elektronike’ – Kolës dhe Beatriçes.”
Pasi dëgjoi këngën e tyre, Paci u ndal te dy vargje që rezonuan fort me një punim të mëhershëm të tij në video. Frymëzuar nga kjo lidhje poetike dhe e ndjeshme, ai përgatiti një videokolazh me fragmente nga punë të vjetra, të realizuara që prej vitit 2004 dhe ua dërgoi si dhuratë. Rezultati: një bashkëtingëllim mes kujtesës artistike dhe muzikës bashkëkohore.
“Gjithçka ndodhi në një kohë kur isha i sëmurë në Milano dhe po qëndroja në shtëpi. Mora kohë dhe montova disa nga punimet e mia të mëparshme në kompjuter. Mu duk se komunikonin natyrshëm me emocionin e këngës së tyre” – tha ai.
Mirësia si përmbajtje, jo si klishe
Përtej estetikës, ajo që e preku më shumë ishte dimensioni i mirësisë njerëzore, shpesh i munguar në narrativat publike për Shqipërinë.
“Ne shpesh e përshkruajmë Shqipërinë si një vend me arrogancë dhe brutalitet. Por, unë mendoj se ajo nuk e ka humbur dimensionin e mirësisë, thjesht, ajo nuk gjen gjithmonë forcë për t’u artikuluar. Kola dhe Beatriça, përmes kësaj kënge, ia kanë dalë ta bëjnë këtë”, vazhdon ai.
Muzika si gjuhë përtej kufijve
I pyetur mbi mundësinë e suksesit në Eurovizion, Adrian Paci është i qartë: “Kur emocionet janë të vërteta, ato kapërcejnë gjuhën dhe kufijtë. Muzika është një gjuhë universale. Bitet, ritmi, ndjesitë, të gjitha transmetohen. Kënga e tyre tashmë ka kaluar kufijtë kombëtarë dhe ka gjetur mbështetje dhe entuziazëm në skena ndërkombëtare.”
Për të, emigracioni nuk është thjesht një temë, por një përvojë, dhe kjo përvojë është burim i thellë për artin. “Kur ajo shënjon atmosferën emocionale të një artisti, ajo reflektohet në gjithçka që ai krijon, në letërsi, muzikë, art vizual…”
Adrian Paci e përmbyll me një falënderim për komunitetin artistik që e ka mirëpritur.
“Siç themi shpesh: ‘Anës Bunës, anës Vjosës’ – dy rrugë që janë bërë bashkë. Ndihem me të vërtetë i privilegjuar, që skena e Shkodrës më ka adoptuar, nëpërmjet bashkëpunimeve me Lekën, me Kolën…”
/RTSH/
Adrian Paci je artist e Shkodran i vërtetë! Urimet ma t'përzemërta në punë dhe jetë!