Në mjediset e bibliotekës publike “Qemal Baholli” të Elbasanit, Klubi i Leximit zhvilloi një aktivitet të veçantë në kuadër të “Pasditja e Autorëve” për të nderuar shkrimtarin dhe publicistin Musa Vyshka.
Një figurë e spikatur në historinë e shtypit dhe letërsisë lokale, Vyshka ka lënë gjurmë të dukshme me temat që trajtonin jetën, kulturën dhe arsimin në Elbasan.
Të pranishëm ishin familjarë, miq dhe ish-studentë të tij, të cilët sollën në kujtesë vepra dhe kujtime të ngrohta për njeriun që përmes fjalës së shkruar pasqyroi personalitetet dhe zhvillimet më të rëndësishme të qytetit.
“Në mendjen time, Musa Vyshka ka mbetur si një ndër poetët lirikë, jo vetëm të Elbasanit, por në mbarë Shqipërinë. Kjo duket që në librin e tij të parë, ‘Ne 20-vjeçarët’.“
Mes të ftuarve ishin edhe fëmijët e shkrimtarit, të cilët u prekën nga respekti dhe dashuria që shfaqën të pranishmit. Ata falënderuan bibliotekën publike për këtë organizim të veçantë, duke theksuar rëndësinë e figurave si Musa Vyshka, që i kanë dhënë gjithçka qytetit të tyre..
“Është një krijimtari shumë e gjerë, e gjatë, që fillon që nga viti 1963, domethënë që nga mosha 21-vjeçare e deri në vitin 2014. Elbasani ka një plejadë të shkëlqyer shkrimtarësh, bashkëkohës të tim eti: Hyjni Ceka, Bexhet Çerma, Milianov Kallupi, Lirim Deda, Astrit Bishqemi, të cilët nuk jetojnë. Ky takim ishte edhe një homazh për ta,” tha i biri i autorit, gazetari Gjergj Vyshka.
Ky aktivitet u kurorëzua me përgatitjen e një bibliografie tematike në prag të ditëlindjes së autorit, për të kujtuar njeriun që me pasion dhe përkushtim i shërbeu kulturës vendase përmes penës së tij të veçantë, transmeton rtsh.
Sa bukur, por edhe sa rrallë dëgjon sot për veprimtari të këtij karakteri. Na mbytën pisllëqet e moralit "modern", perversitet e politizimit të skajshëm dhe dominimi i interesave meskine të pasurimit të jashtëligjshëm. Kthehuni o njerëz në jetën sociale, kulturore dhe edukative, për të rritur një brez të shëndoshë për të ardhmen e vendit.