Sopranoja shqiptare me famë botërore Ermonela Jaho, njoftoi në një lidhje live nga New Yorku me Euronews Albania, koncertin e saj në Gjakovë më 15 nëntor. Ky koncert duket se ndryshe nga të tjerët do të vijë si dhuratë për popullin shqiptar të Kosovës. Ermonela ka zgjedhur pikërisht Gjakovën
Ajo do të performojë në skenën e Kaninës, e ftuar nga Fondacioni për Gjakovën, së bashku me orkestrën e Teatrit dhe Baletit, nën dirigjimin e një dirigjenti spanjoll. Gjakova është një prej qyteteve që e mban më lart krenarinë e saj kombëtare dhe kjo duket se do të theksohet në koncertin e Jahos, e cila është një prej artisteve më të njohura të Shqipërisë në botë.
Jaho bëri të ditur se repertori i saj do të përfshijë këngë mesdhetare dhe shqiptare, ku fokusi kryesor do të jetë tek kthimi në vendlindje dhe motivet nostalgjike.
“Muzika do të shoqërohet me histori shqiptare mbi largimin nga vendi, migrimin, pritjen dhe sakrificat, e populit shqiptar, duke theksuar lidhjen e fortë që ruan shpirti i personit që kthehet pas shumë vitesh. Muzika na lidh të gjithëve, është gjuha e shpirtit. Nuk ka rëndësi vendi ku performohet, por ku bashkon shqiptarët, është diçka e bukur që kemi nevojë sot”, tha Jaho.
Ajo e cilësoi vizitën në Gjakovë këtë vit si të veçantë, teksa theksoi: “Kur shkova në Gjakovë, sikur u kthye koha mbrapa. Gjithçka që gjeta aty ishte xhenuine, 100% shqiptare që ka akoma shpresë edhe pse është në kohën e globalizmit”.
Ermonela Jaho lindi në Shqipëri dhe në vitin 1993 u largua nga vendlindja me një bursë studimi për të përfaqësuar denjësisht Shqipërinë në skenat e mëdha krah gjigandëve të muzikës.
A.K./TemA
Lini një Përgjigje