Në Art House, Shkodër, u hap ekspozita vetjake e Idlir Kokës, e titulluar “Lëkura në huazim”. ArtHouse është prej oazeve të pakta të kulturës në qytetin verior. Ajo u themelua nga piktori i mirënjohur Adrian Paci dhe në oborrin dhe ambientet e saj të brendshme kanë kaluar artistë si Anri Sala dhe Edi Hila
Marrja e lëkurës hua është metafora e përdorur nga artisti Idlir Koka për këtë seri pikturash të realizuara gjatë vitit të fundit. Idlir Koka huazon pra dhe nga letërsia e madhe. Veprat e tij flasin për trauma, vuajtje, dyshime të hetuara pikërisht duke nisur nga vijat e lëkurës.
Ekspozita ka si kurator Stefano Romano dhe mbështetet nga Ministria e Turizmit, Kulturës dhe Sportit në një përpjekje ndërkombëtare që Shqipërisë dhe publikut t'i vijë një art më cilësor, që e ngre stekën në raport me të tjerët.
Idlir Koka është një artist shqiptar, puna e të cilit eksploron sipërfaqet e brishta të kujtesës, historisë dhe identitetit. Me penelata të buta dhe ngjyra të zbehta, ai shndërron objektet e përditshme dhe fragmentet arkitekturore në hapësira gjurmësh, presioni dhe metafore.
Praktika e tij shpesh mbështetet në përvojën post-socialiste, duke u hapur njëkohësisht drejt narrativave më universale por pa lënë në harresë procesin e asimilimt të traumës komuniste ndaj të cilës një qytet si Shkodra është shumëfish dhe më i ndjeshëm për shkak të ngjarjeve historike.
Piktori Idlir Koka është paraqitur me punët e tij në ekspozita vetjake dhe kolektive në mbarë Evropën, përfshirë Panairin e Artit SWAB Barcelona (2023), Galerinë NAAN (2023), Bazament Art Space (2022), Galerinë Zeta (2018, 2020) dhe Galerinë Kombëtare të Arteve, Tiranë (2005–2016).
Idlir Koka ka marrë pjesë gjithashtu në projekte ndërkombëtare si “Cosi vicina cosi lontana” – Albania prima e dopo 1990 / Museo d’Arte Contemporanea di Villa Croce / Gjenova (2008), Bienale del Mediterraneo (Itali, 2009), Koleksionin Luciano Benetton Imago Mundi, si dhe në rezidencën artistike në Künstlerhaus, Salzburg (2017). A.K./TemA
Lini një Përgjigje