Korça mirëpret edicionin e 15-të të “Ditëve të Mios”, kolonisë së piktorëve, prej datës 28 tetor e deri më 31 tetor kur do të marrin fund këto ditë aktivizmi artistik. Ideja e përgjithshme është që artistët të njihen me njëri tjetrin dhe të bashkëndajnë teknikat e tyre të vizatimit dhe pëlqimet e ndërsjella.
Kolonia e piktorëve “Ditët e Mios” është një festë e vërtetë e ngjyrave, dritës dhe shpirtit krijues. Ky edicion do të përfshijë rreth 40 piktorë nga vende të ndryshme të botës, të cilët do të bëhen bashkë për të zbuluar magjinë e rrugicave korçare, peizazhet e fshatrave piktoreske dhe frymën e veçantë që vetëm Korça di të dhurojë.
Mjedisi i qytetit jugor vetëm sa do të ndikojë për mirë në klimën e brendshme të secilit piktor që merr pjesë në këtë grumbullim. Pavarësisht se piktorët janë qënie solipsiste ata mbeten njerëzorë në nevojën e tyre për komunkim. Arti është forma më e qashtër e komunikimit.
Artistët e penelit do ta kthejnë qytetin e Korçës në një atelie të hapur arti, ku çdo penelatë do të pasqyrojë emocionin, frymëzimin dhe dashurinë për vendin, si një ftesë për t’u bërë pjesë e këtij udhëtimi artistik që nderon trashëgiminë e mjeshtrit të madh Vangjush Mio dhe e kthen Korçën në skenën e bukurisë dhe krijimtarisë.
Mjedisi i punës është shumë i rëndësishëm për piktorët, dhe prandaj qyteti i qetë i Korçës ofron hapësirën perfekte për akte krijimi.
Në një prej mjediseve të caktuar, pikërisht galerinë e artit “Guri Madhi” është krijuar një mjedis pune për piktorët pjesëmarrës, të cilët këtë vit vijnë nga Italia, Greqia, Finlanda, Bullgaria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
A.K./TemA
Bravo Korca! Respekt dhe mirenjohje!