Orkestra Simfonike e Radio Televizionit Shqiptar vijon Stinën Koncertore me një mbrëmje kushtuar mjeshtrave të muzikës klasike, Mozart dhe Beethoven.
Programi i përzgjedhur do të sjellë një përzgjedhje të arieve më të njohura të Mozart-it, si edhe Simfoninë Nr. 2 të Beethoven-it, një nga veprat më energjike të repertorit klasik.
Ky koncert do të vijë nën drejtimin e dirigjentit Facundo Agudin, si dhe me pjesëmarrjen e veçantë të tenorit zviceran Rémy Burnens, i vlerësuar me çmime ndërkombëtare.
Ai njihet për zërin e tij të ngrohtë, teknikën brilante dhe interpretimin plot ndjenjë e elegancë.
“Jam shumë i lumtur që ndodhem këtu dhe t’ju ftoj në ndalesën tonë të dytë të serisë Full Beethoven. Është një ngjarje e mrekullueshme në një qytet plot jetë dhe mezi presim ta ndajmë me ju.
Këtë të premte do të luajmë Beethoven Nr. 2. Për këtë koncert, një tenor i ri dhe shumë i talentuar zviceran do t’i bashkohet orkestrës sonë dhe do të ketë premierën e tij në Shqipëri. Ai do të interpretojë arie shumë të njohura nga operat e Mozart-it, të cilat do t’i luajë me shumë kënaqësi.
Më pas do të ekzekutojmë Simfoninë Nr. 2 të Beethoven-it, një vepër krejtësisht revolucionare, shumë e ndryshme nga simfonia e parë, kështu që ju ftojmë të vini dhe të jeni me ne në Katedralen Ortodokse këtë të premte”, tha dirigjenti Facundo Agudin.
Koncerti do të mbahet më 31 tetor 2025, në Qendrën Kulturore të Kishës Ortodokse në Tiranë.
Lini një Përgjigje