Çel siparin festivali “Luleborë” - Nga 16 këngët e reja, 8 prej tyre kalojnë në natën finale

29 Tetor 2025, 09:05Kulturë TEMA
Çel siparin festivali “Luleborë” - Nga 16

Në teatrin “Migjeni” të Shkodrës ka nisur edicioni i 10-të i Festivalit të Këngës Qytetare “Luleborë”, një nga ngjarjet më të rëndësishme kulturore të qytetit, e organizuar nga Bashkia e Shkodrës.

Nën drejtimin artistik të Inva Mulës dhe Zef Çobës, nata e parë përcolli 16 këngët e reja të këtij edicioni, që ndërthurin traditën dhe krijimtarinë bashkëkohore.

Për sopranon me famë botërore Inva Mula, “Luleborë” është një gërshetim brezash që ruan identitetin dhe shpirtin e muzikës qytetare.

“Kjo natë ishte magjike, ashtu si edhe vetë ‘Lulebora’, që është simbol i qytetit dhe i muzikës. Mbi të gjitha, ishte një nivel i lartë artistik, një identitet Shkodre dhe një identitet i muzikës së vërtetë shqiptare, dhe për këtë jam shumë e lumtur, sepse vetë publiku me entuziazëm e dha këtë përgjigje,” tha Inva Mula, Drejtuese artistike e festivalit “Luleborë”.

Një nga risitë e këtij edicioni jubilar është rikthimi, pas më shumë se tre dekadash, i hapësirës për orkestrën simfonike në skenën e Teatrit “Migjeni”, që i jep festivalit një dimension të ri artistik.

Për dirigjenten Elda Laro, pjesëmarrja në këtë festival është një moment i veçantë në karrierën e saj artistike.

“Është përvoja e parë për mua si pjesëmarrëse dirigjente në festivalin ‘Luleborë’. Nuk kisha provuar asnjëherë të dirigjoj këngë të muzikës së tillë, sepse është një muzikë klasike me këngëtarë të operës. Ka qenë një eksperiencë e veçantë,” tha Elda Laro, Dirigjente e Orkestrës Simfonike të Shkodrës.

Për natën e dytë, atë finale, juria e përbërë nga emra të njohur të muzikës shqiptare, nga 16 këngët pjesëmarrëse ka përzgjedhur 8 prej tyre, të cilat do të vijojnë garën për çmimet e “Luleborës”.

 - RTSH-

Lini një Përgjigje