Një nga aktivitetet e reja kulturore të kësaj jave është Festivali i Këngës “Luleborë”, i cili zhvillohet sot dhe nesër në Teatrin “Migjeni”, në Shkodër.
Po sonte (27 tetor) në kinemanë “Maks Velo” në Tiranë, zhvillohet Nata e Filmit Italian.
Ditën e nesërme, 28 tetor e deri më 31 tetor do të zhvillohen aktivitetet artistike e kulturore të Javës Kulturore Austriake, e cila do të sjellë për publikun kryeqytetas ditë të mbushura me muzikë, letërsi e ide evropiane.
Në datën 30 tetor pritet koncerti i Ansamblit Simfonik “Johann Strauss” me valsin vjenez dhe kryeveprat e dinastisë Strauss.
Ndërkohë nesër do të prezantohet tek TKOB, libri “Kioskë – Arkitektura e përkohshme dhe botët e gjalla sociale në bregdetin shqiptar”, mbi arkitekturën dhe jetën urbane pas viteve ’90.
Gjithashtu do të ngrihet një panel diskutimi me temë “30 vjet dhe në vazhdim” me reflektime mbi përvojën dhe sfidat e ardhshme të Austrisë, Suedisë e Finlandës si vende që kanë 30 vjet në BE.
Në Qendrën e Artit “Agimi” vijon nga fundjava, të ekspozohen veprat e Grupit Stubrn, në ekspozitën “Shifting views”, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 30 tetor.
Deri në përfundim të kësaj jave do të keni mundësi të shihni rreth 80 punë të piktorit të mirënjohur Gazmend Leka, në Galerinë FAB.
Ndërkohë që Teatri i Kukullave përveç repertorit të tij, ia ka dhënë skenën edhe një vepre për të rritur siç është komedia “10 vjet martesë”.
Prej nesër e deri më 1 nëntor në Korçë do të zhvillohet kolonia “Ditët e Mios” që mbledh artistë nga Italia, Greqia, Finlanda, Bullgaria, Kosova, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi, Rumania, Serbia, Ukraina dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që do të sjellin ngjyrat dhe frymën e tyre krijuese në koloninë më të madhe ndërkombëtare të piktorëve në Shqipëri. /atsh/
Lini një Përgjigje