Kamela Islamaj vjen ndryshe në Fest64: Të rizbulosh veten pas një lidhjeje që ka marrë fund!

28 Tetor 2025, 11:58Kulturë TEMA
Kamela Islamaj vjen ndryshe në Fest64: Të rizbulosh veten pas një

Kamela Islamaj rikthehet në Festivalin e Këngës në RTSH me këngën “Pa pretendime”.

E ftuar sot në emisionin “Në Radio” të Andri Xhahut, Islamaj foli për herë të parë për pjesëmarrjen e gjashtë në festival.

“Është shumë e rëndësishme për një artist që ka dëshirë të provojë skena të mëdha. Festivali i RTSH është më i rëndësishmi qoftë për nga historia, vlerat dhe muzikalisht. Pa anashkaluar asnjëherë faktin që shoqërohet nga një super orkestër me muzikantë shumë të mirë. Të ndash skenën me kaq shumë dashuri kundrejt muzikës, me kaq shumë talente dhe seriozitet, është diçka shumë e bukur”.

Këtë vit këngëtarja prezantohet ndryshe.

“Nuk doja që të vija me baladën klasike. I jam rikthyer Kamelës së fillimeve, te kënga ime e parë funky-disco. Kam ardhur në Festival për qejfin tim. Dua të kënaqem, të këndoj, të kërcej, ta shijoj. Mendoj që bashkë me Gjergjin (Kaçinari) dhe Megin (Hasani) kemi bërë një punë të lezetshme”.

Propozimi për të marrë pjesë në Festival ishte e kompozitorit Gjergj Kaçinari.

“Bëri mirë sepse u kënaqëm në studio, ishte një punë shumë e kopsitur. Njihemi prej shumë vitesh dhe jemi shumë shokë. E gjetëm njëri-tjetrin lehtësisht. Jemi në një linjë, në sintoni.”

Për tekstin e këngës, ajo thotë se autorja e vargjeve ka dalë pak jashtë vetes sepse është munduar që të mos shkruajë me shumë figura letrare por të jetë më e drejtpërdrejtë dhe e thjeshtë.

“Teksti flet për çlirimin emocional që pëson individi kur një marrëdhënie apo periudhë e jetës ka marrë fund. Në thelb qëndron rikrijimi dhe rizbulimi i vetes dhe lirisë së munguar pas fundit të diçkaje që është konsumuar”.

Pavarësisht se titulli i këngës është “Pa pretendime”, Kamela shprehet se nuk ka artist që merr pjesë në Festival dhe nuk do një çmim.

“Nuk është qëllim në vetvete, por nëse do vinte një çmim do isha shumë e lumtur.”

E vlerësuar për stilin e pangatërrueshëm muzikor, Kamela shprehet se nuk i është dashur të bëjë asnjëherë kompromis me muzikën cilësore.

“Kam respekt për të gjithë vitet e shkollës që kam bërë. Është më e fortë se unë. Jam shumë parimore në këtë pikë. Madje edhe prindërit më thonë të bëj diçka ndryshe. Në sesionin e fotografive për Festivalin ishin të habitur që unë kisha veshur një fustan të shkurtër dhe thanë: Çfarë ka ndodhur?!”

Kamela shton se të bërit kompromis në muzikë është një fenomen që ndodh në të gjithë botën dhe nuk do të ndryshojë asnjëherë.

“Ka hapësirë për të gjithë. Ka vend për fundshpinë dhe për gjokse të bukura por ka vend edhe për njerëz që nuk i kanë këto por janë muzikantë shumë të mirë. Kjo gjë nuk do të ndryshojë asnjëherë. Të tillë të bën jeta, fama, skena, etja për të qenë në qendër të vëmendjes, paraja. Janë të paktë artistët që nuk bëjnë kompromise”.

Por është dikush në jetën e saj që e kupton dhe e bën të jetë vetvetja në muzikë.

“Partneri im është një shuplakë shumë e mirë realiteti, më mban me këmbë në tokë. Ashtu sikurse jam dhe unë për të. Kemi një sistem suporti shumë të mirë në shtëpinë tonë. Jemi sa përkrahës aq edhe kritikë.”

Cili është mendimi i tij për këngën që Kamela do të këndojë në Festivalin e Këngës?

“Trumani ishte i pari që më shtyu ta bëja këtë këngë. Përpos të tjerave është DJ dhe luan muzikë disco dhe funky. Ai ka bërë dhe drejtorin kreativ për sesionin fotografik dhe se si do e sjellim në skenë këngën.” - RTSH-

Lini një Përgjigje