Në vëllimin e dytë të librit “REBELI” Fan Noli, me autor Ilir Ikonomi fitues i çmimit “Lumo Skëndo” nga UETPRES, dalin në dritë fakte dhe ngjarje të pathëna deri më sot. Autori pas një hulumtimi të gjatë për figurën e Fan Nolit ka një qasje realiste dhe një interpretim, sa original dhe shkencor falë edhe formimit të tij intelektual në Amerikë prej 30 vjetësh.
Në njërin nga kapitujt me titull: “Fjalë të mëndafshta” del në pah figura e Nolit si diplomat dhe njeri me horizont i cili i njeh dhe i sheh problemet në perspektivë në mbrojtje të interesave kombëtare. Shqipëria quhej ose identifikohej me imzot Fan Nolin, site flitej për një njeri që gjithë Evropa e njihte.
Ja si fillon ky kapitull: Mledhja e Këshillit të Lidhjes u hap paraditen e 2 shtatorit. Delegacioni shqiptar ishte ulur në rreshtin e parë: Noli si gjithmonëme xhaketën priftërore treçerekëshe, në të majtë të tij Frashëri truphollë (Mit’thati) me këmishën me jakë en bout d’aile, në rradhë pranë tyre, Mosi e Blinishti. Mbledhjen e hapi Lordi Balfour me një raport. Ai përmendi apelimin e Nolit për çështjen se kush duhej ta kishte kompetencën për caktimin e kufijve.
Foli edhe për protestën e Shqipërisë ndaj qeverisë serbo-kroate-sllovene, e cila po lejonte bandat serbe të pushtonin territorin shqiptar. Balfour rekomandoi që, të dyja çështjet t’i kalonin Asamblesë së Lidhjes së Kombeve për diskutim, pasi nuk kishte kuptim të ndaheshin.
Ai i bëri një përshkrim të favorshëm pozitës së Shqipërisë, kur tha se vendimi i Asamblesë së Lidhjes së Kombeve më 17 dhjetor 1920 e pranoi Shqipërinë si një shtet plotësisht të vetqeverisur dhe se, për këtë arsye, nuk kishte më vend për debate.
Noli deklaroi shkurt përpara Këshillit se e miratonte raportin e Lordit Balfour, i bindur se Asambleja më në fund do ta zgjidhte çështjen shqiptare. Kjo sjellje e Nolit për të mos krijuar acarime të panevojshme dukej se krijoi përshtypje të mirë te Lordi Balfour dhe anëtarët e tjerë të Këshillit. Noli besonte se kohët e fundit Britania po tregohej mirëdashëse ndaj Shqipërisë.
Përfaqësuesi jugosllav protestoi kundër akuzave të qeverisë shqiptare se trupat serbe kishin kaluar kufirin e vitit 1913 dhe kishin sulmuar Shqipërinë. U hodh menjëherë tek tema e rebelimit të Markagjonit, duke thënë se në Shqipëri kishte tani dy qeveri, e Tiranës dhe e Mirditës, Qeveria e Mirditës tha Jovanoviç, e akuzon Tiranën se po mbështetet tek xhonturqit dhe te bolshevikët për t’i shpallur luftë popullatës së krishterë.
Ai hodhi dyshime për krejt çështjen e pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve në dhjetor të 1920 dhe la të kuptohej se qeveria e Tiranës nuk e meritonte konsideratën që i ishte akorduar në atë kohë. Komentet e Jovanoviçit ishin ndër më të ashprat që ai kishte bërë kundër Shqipërisë dhe Noli dyshonte se kjo nënkuptonte që serbët po përgatiteshin për sulme të reja në kufi. Mledhja u zhut menjëherë në debate.
Noli: Jugosllavia e ka zakon të krijoj republika në vendet ku ajo ushqen lakmi. Parlamenti shqiptar ka dy parti, Përparimtaren me një shumicë të krishterë, por me një udhëheqës mysliman, Hoxha Kadriun, dhe Popullore, që udhëhiqet nga një i krishterë (vetë Noli). Toleranca është e plotë.
Është gënjeshtër të pretendosh se qeveria e Tiranës po përpiqet të bëjë zap popullatën e krishterë. Këshilli i Lartë i shtetit shqiptar përbëhet nga katër anëtarë që përfaqësojnë katër grupime fetare: Orthodoksët, katolikët, myslimanët dhe bektashinjtë, asnjë prej të cilëve nuk është shumicë. Më dhjetë shtator u mblodh sërish Asambleja e Lidhjes e vuri në rend të ditës çështjen shqiptare.
Delegati kryesor serb, Mirosllav Spalajkoviç, i cili e sulmoi ashpër qeverinë shqiptare, akuzat e tij ishin se ishte bërë gabim që Shqipëria ishte pranuar në Lidhje dhe se ajo tani kishte dy qeveri dhe nuk kishte kufij.
Nolit i erdhi rradha për të folur më 15 shtator. Përpara hapjes së Asamblesë Lordi Cecil i dorëzoi atij një copë letër ku shkruhej “I dashur Peshkop Noli. Fjalimi që do të mbani, ju jep një rast të shkëlqyer. Thjesht duhet të shmangni thuajse çdo gjë folësi (përfaqësuesi serb) është fajtor. Një përgenjeshtrim shumë dinjitoz i akuzave do t’ju garatonte simpatinë e Asamblesë.
Mos harroni se Serbia vitin e kaluar e dha pëlqimin që Shqipëria të mpranohej në Lidhjen e Kombeve. Juaji shumë sinqerisht, Robert Cecil”. Noli ia dëgjoi këshillën, shkruan Ilir Ikonomi.
Noli tha: Nuk i dukej e dobishme të bënte përgënjeshtrime, pasi besonte se shkëmbimet e akuzave nuk përputheshin me frymën e Asamblesë, por do të ngjanin si zhurma e një pisqolle në një koncert.
Disa javë përpara pranimit të njëzëshëm të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, tha Noli, çështja jonë kishte ndeshur në një mospërfillje thuajse të plotë. Trokitëm më kot në dyert e të mëdhenjëve, që një poet Italian i quante me të drejtë le dure, illustri porte.
Asnjë përgjigje.
E pamë veten si ai fshatari rus, i cili, pasi u përpoq më kot të gjente dikë që t’i qante hallin, shkoi në stallë dhe ia rrëfeu kalit historinë e tij të dhimbshme. Ishim të dënuar të luftonim dhe të vuanim në heshtje.
Trokitëm pastaj me drojë në dyert e Lidhjes së Kombeve. Dhe dera na u hap me bujari. Pamë këtu se të drejtat e të vegjëlvëve mbahen po aq të shenjta sa ato të të më dhenjve. Zëri ynë u dëgjua; na u dha drejtësi; u pranua krahëhapur; u njohëm si komb e si shtet.
Pastaj Noli perifrazoi fjalët e falenderimit që kishte përdorur pas pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve më 17 dhjetor 1920: “Politikani dhe filozofi anglez Edmund Burke dikur pat shprehur në Parlamentin keqardhjen se koha e kalorsisë kishte ikur njëherë e përgjithmonë.
Por, vitin e shkuar, kur pashë në këtë sallë historike delegatë nga të gjitha kontinentet, mes tyre edhe atë të shtetit serbo-kroato-slloven, të ngrinin zërat e tyre për ne dhe të votonin në favour të pranimit të Shqipërisë në Lidhjen e Kombeve, me sy të mallëngjyer nga lotët dhe me një lëmsh që m’u mblodh në grykë, ndjeva se po thërrisja me gjithë fuqinë që kisha në gjoks: Jo, koha e kalorsisë nuk ka shkuar!
Noli tha se Shqipëria e fitoi pranimin në Lidhjen e Kombeve jo përmes shtigjeve plot dredha të diplomacies së fshehtë - sepse ne nuk e kemi çelsin e derës së asaj zonje të vjetër e të bekuar-por përmes rrugës së hapur të publicitetit, falë mbrojtësve paqedashës të çështjes sonë në këtë “forum të shkëlqyer të Lidhjes së Kombeve”.
“Kjo, - tha ai, -më kujton atë qytetar të madh të botës, i cili për herë të parë e përdori këtë armë për të çuar përpara idealet e tij. E kam fjalën për ish-Presidentin Willson, babain shpirtëror të Lidhjes së Kombeve.
Ai luftoi dhe ra. Por të tjerë e morën flamurin që ai ngriti dhe po marshojnë përpara pa u trembur. Ilir Ikonomi ndër të tjera citon shtypin e kohës për fjalimin e Nolit. “Jurnal de Geneve” shkruante. “Imzot Fan Noli praktikon faljen e fyerjeve.
Ai ka një dinjitet të thjeshtë dhe të butë, që krijon një përshtypje të shkëlqyer. Grindjet i japin atij efektin efektin e zhurmës acaruese të shkrehjes së një pisqolle dhe prandaj nuk ka aspak dëshirë t’i ndezë më shumë”. Jean Schickin, i së përditshmes mjaft popullore franceze “Le Petit Parisien”, shkruante se “dinjiteti i bukur dhe thjeshtësia emocionuese e imzot Nolit e preku thellë Asamblenë”
Përgatiti: Kastriot Kotoni
E kam pare dhe vazhdoj ta shoh me rezerva , ato qe nxjerr nga goja dhe pena z. Ikonomi . Do ti hedh nje sy me vone , ketyre qe flitet ketu .