Në një atmosferë plot gjallëri, ngjyra, muzikë dhe simbole tradicionale, Festa e Afërditës mblodhi në Belsh pjesëmarrës nga i gjithë Qarku i Elbasanit.
Aktivitete të shumta kulturore, artistike dhe muzikore e shndërruan këtë festë në një ngjarje gjithëpërfshirëse, ku u sollën rite të lashta, punime artizanale dhe trashëgimia shpirtërore e brezave.
Kryetar i Bashkisë Belsh, Arif Tafani u shpreh se kjo festë plotëson paketën turistike që ofron Belshi.
“Kur e kemi nisur këtë projekt për herë të parë gati dhjetë vite më parë këtë qëllim kemi pasur për të krijuar një aktivitet të ri në paketën e turizmit që ne ofrojmë. Besoj se të gjithë jemi dakord që ja kemi arritur qëllimit”, tha Tafani.
Nga parakalimi i të rinjve me kostume popullore, te performancat folklorike e deri te ekspozitat artizanale e konkurset e bukurisë, Festa e Afërditës tregoi se si një traditë lokale mund të kthehet në një motor të fuqishëm për identitetin kulturor dhe zhvillimin turistik të zonës.
Në shenjë mirënjohjeje, Kryetari i Bashkisë, Arif Tafani, ndau certifikata për qytetarë që kanë kontribuar ndër vite në jetën kulturore dhe qytetare të Belshit, gjest që u prit me emocione të forta nga komuniteti.
Festa e Afërditës vijon të jetë një thirrje për ruajtjen dhe promovimin e vlerave të vërteta shqiptare, duke e shndërruar Belshin jo vetëm në një pikë turistike, por edhe në një qendër shpirtërore të kulturës sonë. /rtvora/
Lini një Përgjigje