Kejsi TOLA dhe “FRYMA” e saj, si ‘kampionët pa medalje’ në muzikën shqiptare! (FOTO)

8 Qershor 2025, 08:41Kulturë TEMA
Kejsi TOLA dhe “FRYMA” e saj, si ‘kampionët pa

Në sport nuk do të kishte asnjë kuptim që kampionët në mbyllje të garës të mos merrnin medalje. Ndryshon gara në muzikë, veçanërisht në atë shqiptare, sepse "kampionët" ndodh të mos jenë fare këngëtarë. Kejsi Tola, një ndër zërat më të mirë të muzikës sonë, është rikthyer këto ditë vere me albumin e saj të titulluar “Frymë”.

Pa bujë, e zhurmën e kotë siç nuk i pëlqen, ajo ka publikuar disa prej këngëve të saj të albumit të ri. Artistët që përcjellin vlera po bëhen gjithnjë e më të rrallë, në vendin tonë. Interpretojnë rrallë.

Shfaqen rrallë. Sepse janë të tillë. Sikurse vlerat janë të rralla. Ata nuk kanë nevojë për të blerë e për të shitur “lajka”, me qëllimin e vetëm për ta konsideruar veten të suksesshëm. Jehona e tyre mund të mos jetë e madhe por është e vërtetë dhe deporton lehtë tek ata të cilët duan ta shijojnë muzikën.

Artistë dhe këngëtarë si Kejsi Tola mjaftohen me kaq. Nuk e duan suksesin imagjinar. As nuk i përfaqësojnë dhe as i ndjekin anti-vlerat.

Dhe më kryesorja kanë vendosur të sakrifikojnë në një kohë të vështirë për të mbijetuar në një treg të çorientuar nga pseudoartistë apo të ashtuquajtur këngëtarë që nuk dinë as vetë se çfarë thonë, kur pretendojnë se “performojnë”. Këngëtarë të rrallë si Kejsi kanë vendosur të mos bëjnë kompromis me të rinj të “dehur” në një treg të manipuluar paturpësisht.

Por cili është albumi i saj i fundit?

- “FRYMË” është albumi im më i ri, një udhëtim që nis nga kujtimet, emocionet dhe dashuria pa kushte. Kënga që i jep emrin albumit është zemra e këtij rrëfimi, një përqafim për të kaluarën dhe për rrënjet që gjithmonë më japin forcë,” - thekson Kejsi Tola.


“Ky album është një falenderim për githçka që më ka dhënë frymë”, - shprehet në mesazhin e saj këngëtarja.

Kejsi, e cila përfaqësoi Shqipërinë në Eurovizion 2012, nuk ka hequr dorë as këtë herë nga modestia dhe më kryesorja nga mbrojtja me fanatizëm e vlerave artistike të muzikës sonë të vërtetë.

Dallimi është i lehtë: adhuruesit e vërtetë të muzikës dhe ata që janë në kërkim të vlerave trokasin te Kejsi apo edhe te këngëtarë të tjerë si ajo. Të tjerë që artistikisht mbeten të mjerë paguajnë miliona nga paratë që nuk iu dihet burimi, për t’u shitur apo për të blerë, në një treg të shtirur e pa asnjë vlerë!

/liberale/

Dokumenta bashkëngjitur

Lini një Përgjigje