Festivali i Gjuhës Italiane Treccani, për herë të parë në Tiranë

21 Tetor 2025, 13:18Kulturë TEMA
Festivali i Gjuhës Italiane Treccani, për herë të parë

Festivali i Gjuhës Italiane Treccani zhvillohet për herë të parë në Tiranë, e gjithashtu kjo është hera e parë që ky festival i mirënjohur, del jashtë territorit italian.

Në Universitetin e Tiranës, tema qendrore që u trajtua, iu kushtua përgjegjësisë, duke sjellë dialogun kulturor dhe promovimin e gjuhës italiane përtej kufijve kombëtarë.
Aktiviteti, me pjesëmarrje të lirë, u organizua në bashkëpunim me Ambasadën Italiane, Qendrën për Hapje dhe Dialog (COD), Universitetin e Tiranës, si dhe “media partner” Rai Cultura dhe Rai Radio 3.

Të ftuar në takimin e sotëm ishin Fabio Deotto, gazetar e shkrimtar, Michele Cortelazzo, professor i njohur i gjuhësisë italiane nga Accademia della Crusca si dhe gazetarja dhe shkrimtarja Carmen Lasorella, një protagoniste që i ka rrëfyer botës krizat më të mëdha ndërkombëtare.

Festivali “Treccani” ofron një mundësi për të reflektuar së bashku mbi vlerën e fjalëve dhe rrëfimit, mes gjuhës, informacionit dhe përgjegjësisë.

“Përgjegjësia” është kryefjala e edicionit të tetë të Treccani-t. Natyra radikale e ndryshimeve që po pëson shoqëria kërkon një thirrje për përgjegjësi, të cilën organizatorët propozojnë ta hetojnë përmes këndvështrimeve të shumta: nga ajo gjuhësore në këndvështrime historike, letrare, artistike dhe shkencore. /atsh/

Lini një Përgjigje