ILIR ÇUMANI/ Në panteonin e artit shqiptar, emri i Liza Laskës (Artiste e Merituar), shfaqet me dritën e veçantë të atyre artisteve që nuk luajnë vetëm role, por ndërtojnë ndjeshmëri kolektive, krijojnë figura që mbeten në kujtesën kombëtare dhe lartësojnë shpirtin e njeriut të zakonshëm me dinjitet dhe madhështi. Ajo është padyshim një nga figurat më mbresëlënëse të kinemasë dhe skenës shqiptare – një aktore që nuk imiton, por mishëron. Aftësia e saj për të skalitur me autenticitet dhe përulësi figurën e gruas shqiptare, sidomos të Nënës, e ka shndërruar në një simbol të përfaqësimit të brendshëm, shpirtëror dhe të pathënshëm të gruas në kohëra të vështira.
E vlerësuar me titullin: “Artiste e Merituar”, ajo mbetet një ndër artistet më të dashura për publikun dhe artdashësit shqiptarë, jo vetëm për rolet që ka interpretuar, por për mënyrën se si ka jetuar çdo figurë që ka sjellë në ekran dhe në skenë – me një thjeshtësi të përkorë dhe një emocione të vërteta që prekën telat më të thellë të shpirtit njerëzor.
Filmografia e saj është një galeri e pasur rolesh ku spikat forca, dhembshuria, krenaria dhe sakrifica e gruas shqiptare, e cila përballë historisë dhe sfidave të jetës ka ditur të qëndrojë me dinjitet dhe dashuri:
Ajo tashmë ka lënë si dëshmi të pavdekësisë gjurmët e saj të fiksuar në pelikulën e qindra e qindra metrave të shiritit të filmit përmes filmave:
Malet me blerim mbuluar (1971)
Brazdat (1973)
Shtigje lufte (1974)
Dimri i fundit (1976)
Lulëkuqet mbi mure (1976)
Gunat mbi tela (1977)
Liri a vdekje (1979)
Plumba përandorit (1980)
Në prag të lirisë (1981)
Dritat e qytezës (1983)
Vendimi (1984)
Gurët e shtëpisë sime (1985)
Dhe vjen një ditë (1986)
Familja ime (1987)
Kthimi i ushtrisë së vdekur (1989)
Vdekja e burrit (1991)
Një ditë e mrekullueshme (2002)
Çdo rol i saj është një pasazh kujtese dhe emocion, një dëshmi artistike për brezat që vijnë. Liza Laska nuk është thjesht një emër në listën e aktoreve të mëdha, por një zë i heshtur që flet përmes syve të nënës, plakës, mësueses apo gruas së vuajtur, duke e kthyer kinemanë shqiptare në një pasqyrë të thellë të realitetit shoqëror dhe emocional të vendit tonë.
Përmes punës së saj të përkushtuar, ajo ka lënë një trashëgimi të vyer shpirtërore dhe artistike – një testament i gjallë për fuqinë që ka arti kur buron nga zemra dhe i drejtohet zemrës.
Lini një Përgjigje