Lexoja mbrëmë një tekst të Jean Baudrillard-it për Kullat Binjake në New York City (“Twin Towers”, në Miti fatali, Franco Angeli 2014) dhe në fillim nuk po e kuptoja nëse teksti ish shkruar para apo pas 11 shtatorit 2001 – gabimisht m’u duk sikur ishte i para kësaj date[1]; dhe pastaj pyeta veten nëse një refleksion a përsiatje, për ato kulla, shkruar pas shkatërrimit të tyre ose edhe thjesht lexuar më pas, duhet patjetër të marrë parasysh ngjarjen fatale, goditjen me avionë, terrorin dhe modifikimin e dhunshëm të pamjes së metropolit dhe ta përdorë si çelësin muzikor për interpretimin e partiturës që i ka paraprirë.
I bartur në NYC në shkurt të vitit 1996, unë kuturisesha ndonjëherë të dielave, për të shëtitur në zonën përreth kullave – shpija atje vajzën time ende të vogël, merrnim trenin nga Bronx-i te stacioni në Rector Street, vinim rrotull dyqaneve në katin e nëndheshëm, pastaj që andej kalonim te The World Financial Center, që kish edhe më shumë variacion për syrin (dhe xhepin) dhe hanim ndonjëherë drekë te një Burger King aty pari. Tani që mallëngjehem me ato vizita dhe shëtitje naive, e kam të pamundur të mos mendoj për 11 shtatorin, a thua se rrënimi i këtyre dy ngrehinave gjigante, diapazon që vibronte me mbarë kozmosin, m’i ka modifikuar deri edhe kujtimet që kam për periudhën kur ndërtesat ishin ende në këmbë. Në narratologji, këtë efekt e quajnë foreshadowing, që do të thotë, në këtë rast, se rrëfimtari i kujtesës sime m’i sjell në vëmendje kullat binjake duke ua njohur të ardhmen. Efekt ngjethës.
Nga Tirana ime, sjell ngjashëm në mendje ndërtesën aq ikonike të Bashkisë, që në kohën time njihej si “Komiteti ekzekutiv”, dhe që shërbente si mbyllje dhe kundërpeshë e hijshme e kompleksit arkitektonik të ministrive në sheshin “Skënderbej”. Nuk kujtoj dot, megjithatë, nëse kam hyrë atje ndonjëherë; më vijnë para syve vetëm pamje të ndërtesës nga jashtë, me gjithë ballkonin musolinian ku dilnin ndonjëherë “të mëdhenjtë” për t’u fërkuar në supet dhe për t’i folur popullit në ditë festash e kremtimesh politike.
Bashkinë vendosën ta hiqnin qafe, për ta zgjeruar sheshin edhe më – një vendim me pasoja të pikëlluara. Kujtoj mirë gardhin me të cilin e kishin rrethuar dhe lajmërimin për natën kur do ta hidhnin ndërtesën në erë me dinamit, bashkë me një thashethem urban, se xhenierët e kishin patur të vështirë, tejet të vështirë, të gjenin pikat e dobëta ku të vendosnin eksplozivin, ngaqë italianët e kishin ndërtuar “mirë”. Mbase kish ndonjë që këtë akt terrori ndaj Tiranës së vjetër do ta shihte si vazhdim të luftës na-çl me mjete të tjera, në kërkim të një justifikimi ideologjik për shpërthimin.
Gjithsesi, sot kur flas a kur kujtoj Bashkinë e dikurshme, shkatërrimi i saj më shërben – dashur pa dashur – si kontekst për rrëfimin a për muhabetin; të thuash se fakti që ajo ndërtesë u hodh në erë pa faj e pa arsye, ia përcakton tani edhe narrativën në kujtimet e mia dhe me siguri të shumë të tjerëve që e kanë parë dhe përjetuar ende në këmbë.
Edhe më e vërtetë është kjo për selinë e Teatrit Kombëtar, dikur Teatri Popullor, e cila ka qenë për shumë vjet pjesë e sfondit dhe e dekorit të jetës sime dhe të brezit tim në Tiranë, shkronjë e një alfabeti më të cilën u shkrua historia e atyre viteve, simbol i përplasjes së të mirës me të keqen në art dhe kulturë, sa i brishtë aq edhe i patundur, për shkak të pasionit të publikut. Rrëzimi i asaj ndërtese ishte paralajmëruar prej kohësh, por aq ishte vonuar, sa mbrojtësit – që nuk ishin pak – ende shpresonin se nuk do të ndodhte kurrë, njëlloj si shpresojnë sot në SHBA se një dënim me vdekje do të anulohet në momentin e fundit, thjesht ngaqë kanë kaluar kaq e kaq vjet, nga koha kur është dhënë.
Me Teatrin më lidh fëmijëria dhe përjetimi i jashtëzakonshëm që i bën fëmija skenës; por edhe shumë e shumë kujtime të kontaktit me majat e kulturës botërore, nga Schiller-i te Bertold Brecht-i; siç më lidh edhe angazhimi im dhe i miqve të mi, në rastin tim sado modest, për të argumentuar pse nuk duhej prishur. Por të gjitha kujtimet tani m’i viziton madje jo dhe aq fshehurazi momenti i prishjes, siç e ndoqa nga përtej oqeanit; i dhunimit të një hapësire që deri dje kish qenë sakrale për shumë vetë në Tiranë dhe kudo gjetiu në Shqipëri e në botë. Dhe e kam sërish të pamundur që t’u kthehem atyre kujtimeve, duke e mbajtur larg hijen e terrorit që shoqëroi rrëzimin.
Kthehem te Baudrillard-i. Esenë e tij për Kullat Binjake dhe shënjueshmërinë e tyre për NYC dhe Perëndimit e kisha lexuar edhe më parë – por tani rileximin ma kushtëzon një tjetër vetëdije e paftuar: fakti që autori i atij teksti ka vdekur. Gjë që nuk më ndodh kur lexoj, të them, diçka nga Foucault-i ose Roland Barthes-i, të cilët për mua kanë qenë, sado të mëdhenj, më shumë emra të përveçëm korpusesh të dijes a të ideve. Por Baudrillard-in e mbaj mend të gjallë dhe intelektualisht aktiv; siç e kujtoj ndjesinë që kam pasur, si për të ashtu edhe, të them sërish, për Umberto Eco-n ose Kadarenë e Kunderën në një kontekst tjetër; dhe që mund t’ia faturoj edhe një vetëdijeje – në këtë rast mistike – të bashkëkohësisë. Në 11 shtator të vitit 2001, kur u shembën Kullat Binjake, unë gjendesha në NYC, pak kilometra larg “truallit zero”; por njëkohësisht me mua, kushedi ku dhe si, Baudrillard-i filozof që unë e njihja dhe e admiroja tashmë, po e përjetonte edhe ai, me mua, të njëjtën ngjarje; ose një ngjarje që bëhej e njëjtë pikërisht ngaqë hynte njëherazi, në kohë reale, në përjetimet dhe pastaj kujtimet e milionave.
Prandaj edhe Baudrillard-in, edhe Eco-n tani nuk i lexoj dot më, pa menduar se këta kanë qenë dikur gjallë bashkëkohësisht me mua, por tani nuk janë më, përveçse asaj që kanë lënë nga vetja në fjalët e tyre dhe që tani komunikon me mua, një subjekt diskursiv, një zë i shtrupëzuar që më flet për të më thënë shumëçka, përfshi edhe lajmërimin – e përsëritur – se i zoti nuk është më gjallë, që t’i dalë zot tekstit të vet si dikur; dhe se kjo barrë tashmë më mbetet e gjitha mua, lexuesit. Nuk është aq vdekja dhe shkatërrimi, sa fakti që këto kanë ndodhur kur unë kam qenë gjallë. Dua t’i mendoj ikje, rrëzime dhe shembje të tilla si redaktime në dorëshkrimin e eksperiencës së rrëfyer; që kanë mbetur atje, për t’u integruar me rrëfimin vetë. Humbje dhe zhdukje që janë po aq pjesë e jetës sa edhe unë vetë që tani rrëfej.
(c) 2025 Ardian Vehbiu. Të gjitha të drejtat të rezervuara. Imazhi në kopertinë është përfytyruar me Midjourney. Botohet me leje te TemA.
[1] Tani shoh se paskam pasur intuitivisht të drejtë, meqë teksti në fjalë qenka kompiluar nga dy burime të ndryshme, njëri i vitit 1979, para shembjes; dhe tjetri i vitit 2002, pas shembjes. Por pavarësisht nga marifeti editorial, hija e 11 shtatorit rëndon edhe mbi pjesën e parë të esesë, duke ia komprometuar leximin, meqë është e pamundur t’ia ndjekësh autorit fillin e mendimit, pa mbajtur parasysh premisën – ende të pamundur – të rrënimit që do të pasojë.
11 SHTATORI Dita e novatoreve dhe e racionalizatoreve. Dite e shenuar qe festohej çdo vit per nder te novatoreve...