FOTO: Ngre siparin Festivali Ndërkombëtar i Filmit Studentor në Tiranë

21 Prill 2026, 19:53Kulturë TEMA
FOTO: Ngre siparin Festivali Ndërkombëtar i Filmit Studentor në

Ngriti sot siparin në Tiranë edicioni i parë i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit Studentor (ISFFT), një nismë që synon të krijojë një hapësirë konkrete për brezin e ri të kineastëve.

Përtej garës mes filmave në kategori të ndryshme, festivali synon të funksionojë si një pikë takimi mes studentëve, pedagogëve dhe profesionistëve të industrisë, duke ndërtuar një lidhje që shpesh ka munguar mes arsimit dhe industrisë së filmit. Organizatorët e shohin këtë si një ndërhyrje të nevojshme për të krijuar ura bashkëpunimi dhe për të orientuar më qartë të rinjtë drejt industrisë.

Interesi ndërkombëtar duket se e konfirmon këtë nevojë. Rreth 2400 aplikime nga vende të ndryshme të botës dëshmojnë përmasën e projektit dhe kërkesën për platforma që shkojnë përtej shfaqjes së filmave, duke ofruar edhe mundësi rrjetëzimi dhe zhvillimi profesional.

Një nga elementët që i jep peshë këtij edicioni është edhe pjesëmarrja e emrave të njohur të industrisë, të cilët do të ofrojnë masterclass-e dhe workshop-e të ndryshme. Mes tyre skenaristi italian Umberto Contarello, i njohur për bashkëpunimin me regjisorin Paolo Sorrentino në filma si La Grande Bellezza, fitues i çmimit Oscar, si dhe në seriale si The Young Pope dhe The New Pope.

Ceremonia e hapjes u shënua me shfaqjen e filmit “A Short Trip” të regjisorit shqiptar Erenik Beqiri, duke i dhënë festivalit një nisje që ndërthur dimensionin ndërkombëtar me prodhimin vendas.

ISFFT do të zhvillohet përgjatë datave 21, 22, 23 dhe 24 prill.

A.K./TemA

Lini një Përgjigje