Frederik Ndoci: Që në momentin që dëgjuam se Festivali i Pranverës po rikthehej, e përqafova me shumë kënaqësi!

8 Qershor 2026, 11:30Kulturë TEMA
Frederik Ndoci: Që në momentin që dëgjuam se Festivali i

Këngëtari Frederik Ndoci ka ndarë emocionet e tij nga prapaskena e Festivalit të Pranverës, duke kujtuar jo vetëm eksperiencat e tij në këtë skenë, por edhe ndikimin që muzika ka pasur te publiku në periudha të ndryshme të historisë shqiptare.

Ndoci e cilësoi rikthimin e Festivalit të Pranverës si një lajm që e priti me shumë entuziazëm.

“Ndjesitë janë jashtëzakonisht pozitive. Që në momentin që dëgjuam se Festivali i Pranverës po rikthehej, e përqafova me shumë kënaqësi. Është diçka shumë e bukur dhe me shumë vlerë për muzikën shqiptare”, u shpreh ai.

Duke folur për këngën që interpretoi në këtë edicion, artisti tha se ajo përfaqësonte frymën e risive që sollën dikur festivalet e pranverës.

“Kënga që solla sonte ‘”‘Pranvera do shumë lule’ përfaqësonte një lloj ndryshimi. Festivalet e Pranverës sillnin gjithmonë diçka të re, diçka moderne për kohën. Ishte një arritje, një lloj sfide artistike. Ishte si ai fëmija që thyen një llambë të fashistëve dhe largohet pa e kapur plumbi. Kështu e ndienim ne punën që bënim në muzikë”, tha ai.

Ndoci rrëfeu edhe një histori që e kishte prekur thellë. Sipas tij, pas një koncerti, një familje që e ndiqte prej kohësh i kishte treguar se kishte qenë e internuar gjatë regjimit komunist dhe se këngët e tij u kishin dhënë shpresë në një periudhë të vështirë.

“Më thanë se kur dola për herë të parë në festival, ata kishin parë njëri-tjetrin dhe kishin thënë se nëse do të këndoja sërish edhe ditën tjetër, do të vinte liria. Kur dola përsëri në skenë, kishin brohoritur nga gëzimi. Më treguan se për ta muzika ime ishte bërë simbol i një ndryshimi që e prisnin prej kohësh dhe se vetëm nga ajo frekuencë artistike kishin ndier se po afrohej liria”, kujtoi ai.

Artisti u ndal edhe te një nga këngët më të njohura të repertorit të tij, “Sytë e tu”, duke treguar se në kohën kur u prezantua nuk u vlerësua menjëherë nga të gjithë.

“Vite më vonë, kënga ‘“’Sytë e tu’”’ në atë kohë nuk tingëlloi dhe aq bukur. Ishte një shoqe e jona atë kohë, ishte gazetare në RTSH tha e bukur kënga, por jo aq e bukur. I thashë ça viti jemi, 1989, pas 40 vitesh kanë me u harru gjithë këngët e tjera, kjo ka për të qenë. Eh tashi, sa modest. Ishim në radio, në intervistë. E ja ku jemi sot. Artistit që nuk i këndohet kënga, duhet me kalu nga dera tjetër.”, tha Ndoci. A.K./TemA

Lini një Përgjigje