Luan Zhegu, i vlerësuar si një nga figurat më të spikatura dhe legjendat e muzikës së lehtë shqiptare në rolin e këngëtarit dhe kompozitorit, është nderuar me çmimin e veçantë “Pranverë e përhershme” nga Radio Televizioni Shqiptar.
Gjatë ceremonisë, prezantuesit e festivalit, Bleona Qerreti dhe Nik Xhelilaj, kanë ftuar në skenë maestro Zhani Ciko për t’i dorëzuar personalisht trofeun kantautorit. Në fjalën e tij përshëndetëse, maestro Ciko theksoi kontributin e vyer të Zhegut në historinë e muzikës shqiptare, duke u ndalur te një moment specifik i karrierës së tij gjatë vitit 1997.
“Jemi në shtëpinë tonë në këtë Festival, në shtëpinë e muzikës. Për mua është një ngjarje e veçantë që një personalitet, kantautor si Luan Zhegu, i cili përshkruhet në këngët e tij me tematika të pasura merr këtë çmim”, deklaroi Ciko.
Duke risjellë në vëmendje kontekstin e trazirave të atij viti, ai shtoi: “Luan Zhegu në ‘97 kompozoi këngën “Fal” që e interpretoi Ledina Çelo dhe fitoi çmimin e parë. Vendi ishte në situata të vështira në ato kohë. Bëmë koncertin dhe kënga ‘Fal’ ishte apel për të urtuar dhe sensibilizuar njerëzit duke pasur parasysh situatën. Ndihem i vlerësuar që i dorëzoj Luanit këtë çmim”.
Nga ana e tij, pasi pranoi çmimin mes duartrokitjeve të ngrohta të sallës, Luan Zhegu ia kushtoi suksesin e tij mbështetjes së gjatë të dëgjuesve ndër dekada, si dhe institucionit organizator.
“Ky çmim i dedikohet publikut tim të mrekullueshëm që ka rreth 60 vite që bashkë-ecën me mua. Falënderoj stafin e festivalit dhe RTSH-në këtë emblemë të artit shqiptar për këtë vlerësim që më bëri”, u shpreh artisti pas marrjes së vlerësimit. A.K./TemA
Lini një Përgjigje