Gjithçka është gati për nisjen e Festivalit të Pranverës në RTSH. Ethet e garës kanë përfshirë artistët konkurrues, por edhe stafin organizativ, i cili ka punuar intensivisht për të finalizuar çdo detaj të këtij rikthimi të shumëpritur.
Njëzet këngëtarët pjesëmarrës do të ngjiten në skenë mbrëmjen e sotme, në një spektakël ku nuk do të mungojnë surprizat dhe të ftuarit specialë, që do të sjellin një ndërthurje të nostalgjisë me frymën bashkëkohore të festivalit.
Pas provave gjenerale, prezantuesit e këtij edicioni, këngëtarja Bleona Qereti dhe aktori Nik Xhelilaj, kanë ndarë emocionet dhe përgjegjësinë që do ti shoqërojnë në këto net magjike të muzikës.
“Për mua është një emocion i jashtëzakonshëm. Sot, kur hyra në provën gjenerale, ishte një reminishencë e viteve shumë më përpara, ku janë të njëjtët njerëz dhe vazhdon e njëjta dashuri për punën. Domethënë, mua më duket sikur koha ka ndalur, e kam thënë gjithmonë dhe në çdo moment. Janë njerëz që unë i kam pasur idhuj. Imagjino brezi i ri sesa me nostalgji dhe me kuriozitet do t’i ndjekin, sepse këngët janë shumë të bukura. Jam shumë e emocionuar dhe shumë e lumtur që jam pjesë e këtij festivali”, shprehet Qereti.
“Ndihem i privilegjuar. Unë, me thënë të drejtën, e nxjerr atë mallin e prezantimit të Festivalit 50. Fakti që është orkestra live, personalisht e çmoj shumë dhe më emocionon ky fakt. Më kishte marrë malli, me thënë të drejtën, të shikoj muzikantët në atë magjinë e tyre. Është përgjegjësi e madhe, e veçantë sigurisht, sepse festivali vjen mbas kaq e kaq vitesh. Unë jam edhe si moderator, por ndërkohë edhe si i ftuar, e shijoj dhe si publik këtë gjë. Mendoj se do ta shijojmë shumë”, shprehet Xhelilaj.
Në natën e parë do të performojnë të 20 artistët pjesëmarrës. Pas vlerësimit të jurisë profesionale, do të përzgjidhen 12 këngë që do të sigurojnë një vend në finalen e madhe të 7 qershorit.
Festivali i Pranverës do të transmetohet drejtpërdrejt në RTSH 1, RTSH Muzikë dhe Radio Tirana 1.
Ky festival shënon një rikthim të rëndësishëm në traditën e Radio Televizionit Shqiptar, me synimin për të rizgjuar emocionin dhe lidhjen e veçantë mes publikut dhe muzikës shqiptare. A.K./TemA
Lini një Përgjigje