“Shkruaja për t’i shpëtuar çmendurisë”/ Rrëfimi i shkrimtares Vera Bekteshi mbi depresionin, internimin dhe "vitin e mbrapshtë" 1974

5 Qershor 2026, 17:29Kulturë TEMA
“Shkruaja për t’i shpëtuar çmendurisë”/

Shkrimi nuk lind gjithmonë nga frymëzimi apo dëshira për lavdi. Ndonjëherë, ai është e vetmja rrugë për t’i shpëtuar çmendurisë, depresionit dhe harresës.

Këtë të vërtetë të zhveshur, të dhimbshme e plot dritëhije njerëzore dëshmoi shkrimtarja e njohur Vera Bekteshi në një bashkëbisedim të sinqertë me studentë në Universitetin Europian të Tiranës, ku hapi zemrën për të treguar se si letërsia iu gjend si një mjet mbijetese në ditët më të errëta të jetës së saj.

Si fëmija më i madh i shtëpisë, Vera Bekteshit iu desh të mbante mbi supe pesha dhe përgjegjësi të rënda në një periudhë paqëndrueshmërie të madhe. Kur situata familjare më në fund u stabilizua pas kalvarit të gjatë të internimit që vuajti familja e saj nën regjimin diktatorial, trauma e akumuluar për vite me radhë shpërtheu brenda saj, duke e çuar në prag të një kolapsi emocional.

"Nuk kisha energji apo vullnet. Fillova të shkruaja për të luftuar me veten time. Isha në prag të depresionit. Mbaja gjithmonë një libër me vete sepse isha e zënë, nuk arrija të përqendrohesha dhe i thosha vetes se nuk dija çfarë të bëja" 

Në një kohë kur nuk kishte as kompjuter në shtëpi dhe luftonte çdo ditë me ankthin, ajo gjeti një hapësirë shpëtimi: Zyrën e saj të punës.

Për tre vite me radhë, mes detyrës për të siguruar jetesën dhe nevojës për të dokumentuar tmerret e përjetuara, ajo shkruante fshehurazi në kompjuterin e punës. Aty lindi ai që do të bëhej libri i saj më i suksesshëm, një vepër që kapërceu kufijtë dhe u botua deri në Itali, i shkruar tërësisht nën një tension të lartë emocional. Sot ajo është rikthyer në tavolinën e shkrimit dhe po punon për një projekt të ri të madh, i cili zhvillohet saktësisht 52 vite më parë, në vitin 1974.

Ky vit shënon një nga periudhat më të egra të spastrimeve politike dhe ushtarake në Shqipërinë komuniste, një valë terrori që goditi drejtpërdrejt edhe familjen e saj, duke e çuar drejt rrugës së dhimbshme të internimit. Sipas shkrimtares, të shkruash për të tashmen është më e lehtë sepse jemi pjesë e saj, por e kaluara mbetet sfida e vërtetë, pasi kërkon distancë, qartësi dhe drejtësi historike. 

*Në kuadër të Festivalit Letrar II/2026, shkrimtarja e njohur Vera Bekteshi zhvilloi një bisedë letrare me studentët e Universitetit Europian të Tiranës.

/MAPO/

1 Komente

  1. E
    Eh, ç'na gjeti! Opo lere..

    Kesaj i ka mbetur ora nja 50 vjet mbrapa. Gjynah.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje