Festivali i Pranverës/ Alfred Kaçinari: Ka shumë vitalitet dhe i përket të rinjve

7 Qershor 2026, 13:22Kulturë TEMA
Festivali i Pranverës/ Alfred Kaçinari: Ka shumë vitalitet dhe

Dirigjenti dhe muzikanti Alfred Kaçinari ndau përshtypjet e tij nga puna me artistët e rinj, duke e cilësuar rikthimin e Festivalit të Pranverës si një eksperiencë pozitive dhe të suksesshme.

Sipas Kaçinarit, qëllimi kryesor i ekipit artistik ka qenë mbështetja e këngëtarëve të rinj për të dhënë më të mirën në skenë.

“Puna jonë është për të rinjtë dhe që ata të dalin sa më mirë. Ky ka qenë një festival shumë komod për t’u realizuar, kemi pasur një marrëdhënie shumë të mirë pune dhe mirëkuptim mes të gjithë pjesëmarrësve. Kemi ndërtuar një plan të qartë pune dhe gjithçka ka ecur shumë mirë,” u shpreh ai në prapaskenat e festivalit.

Duke folur për prurjet e reja muzikore, Kaçinari theksoi se çdo brez sjell një këndvështrim dhe estetikë të ndryshme artistike.

“Të rinjtë e shohin muzikën ndryshe. Ata kanë një estetikë dhe perceptim tjetër, gjë që është krejt normale, sepse brezat ndryshojnë. Pikërisht kjo e bën këtë festival plot vitalitet dhe energji të reja,” tha dirigjenti.

Ai nënvizoi gjithashtu se vlerësimi i vërtetë i një festivali bëhet me kalimin e kohës, kur publiku arrin të kuptojë se cilat këngë mbeten në kujtesë.

“Ajo që sot mund t’i duket publikut një festival i thjeshtë, pas 10 vitesh mund të kuptohet përmes muzikës që ka mbetur. Kështu funksionon arti dhe kështu ndodh në të gjithë botën,” shtoi ai.

Kaçinari e konsideroi sfidë organizimin e një festivali që rikthehej pas më shumë se dy dekadash mungesë, por vlerësoi vendosmërinë e RTSH-së për ta sjellë sërish në skenë.

“Vështirësia më e madhe ishte fakti që festivali nuk ishte më pjesë e kalendarit artistik prej shumë vitesh. Megjithatë, ne besuam që në momentin e parë kur erdhi propozimi nga drejtoresha e përgjithshme e RTSH-së, znj.Eni Vasili. Ishte një ide që gjeti mbështetje dhe sot jemi të lumtur që Festivali i Pranverës është rikthyer,” përfundoi ai.

Rikthimi i Festivalit të Pranverës pas 23 vitesh ka sjellë në skenë artistë të rinj, energji të reja dhe një frymë moderne, duke ringjallur një nga traditat më të dashura të muzikës shqiptare. A.K./TemA

Lini një Përgjigje