Autoritetet e sigurisë kanë bërë të ditur masat e ndërmarra, në mbështetje të zhvillimit të sigurt të procesit të zgjedhjeve të parakohshme.
Organi i akuzës ka aktivizuar rreth 100 prokurorë, ndërkaq janë angazhuar edhe një numër i lartë policësh. Por, në një komunikatë të përbashkët të Policisë dhe Zyrës së Kryeprokurorit, është alarmuar për ndërhyrjet nga jashtë.
“Gjatë javëve të fundit, institucionet e zbatimit të ligjit kanë pranuar dhe trajtuar informacione të shumta që ndërlidhen me dyshime për ndërhyrje të jashtme dhe aktivitete të kundërligjshme me qëllim të ndikimit në vullnetin e lirë të qytetarëve gjatë procesit zgjedhor. Ndërhyrjet e jashtme në zgjedhje, paraqesin kërcënim serioz për demokracinë, pavarësinë dhe vullnetin e lirë të qytetarëve”, thuhet në komunikatën e përbashkët të dy institucioneve.
Më 19 maj janë arrestuar shtatë serbë të dyshuar për veprat penale që ndërlidhen me cenimin e përcaktimit të lirë të votuesve dhe ushtrimin e presionit politik në komunën e Graçanicës. Ndërkaq, më 4 qershor, në të njëjtën komunë, është arrestuar edhe një serb tjetër nën dyshimin për marrje dhe dhënie të ryshfetit në lidhje me votimin.
“Këto veprime dëshmojnë përpjekjet aktive për ndërhyrje në zgjedhje si dhe vendosmërinë e institucioneve të Republikës së Kosovës për të mbrojtur integritetin e procesit zgjedhor dhe për të luftuar çdo përpjekje për të ndikuar në mënyrë të kundërligjshme në vullnetin e lirë të votuesve”, thuhet në komunikatë.
Autoritetet kanë bërë të ditur se janë duke vazhduar trajtimin e informacioneve të tjera, si dhe monitorimin e afërt të çdo aktiviteti që mund të cenojë integritetin e zgjedhjeve të 7 qershorit.
I gjithë procesi zgjedhor i së dielës do të monitorohet nga rreth 16 mijë e 600 vëzhgues të akredituar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
.....epo mesa duket iranianet qe po protestojne ne Tirane .....meqe ketu diten protesta eshte pushim , thane hajde dalim njehere nga Kosova te bejme ndonje nderhyrje edhe atje !!!