Një pikturë e humbur prej kohësh nga mjeshtri holandez Rembrandt është rizbuluar nga ekspertët, pas dekadash gjatë të cilave vendndodhja e saj ishte e panjohur. Vepra e vitit 1633, “Vizioni i Zakarias në Tempull”, ishte përjashtuar nga lista e punimeve të artistit në vitin 1960 dhe u zhduk nga qarkullimi pasi iu shit një koleksionisti privat një vit më vonë.
Piktura u rishfaq së fundmi kur pronarët e saj e paraqitën për ekzaminim në Rijksmuseum në Amsterdam. Muzeu ndërmori një analizë të detajuar dyvjeçare për të verifikuar autenticitetin e saj.
Drejtori i Rijksmuseum, Taco Dibbits, u shpreh i mahnitur nga forca artistike e veprës. “Kur e pashë në studion tonë gjatë restaurimit, u mahnita menjëherë nga fuqia e jashtëzakonshme që ka,” tha ai.
Sipas muzeut, konfirmimi i autenticitetit u arrit pas analizimit të pigmenteve, të cilat përputhen me ato që Rembrandt përdorte në atë periudhë, si dhe teknikës së pikturimit dhe ndërtimit të shtresave, të krahasueshme me veprat e tij të hershme.
Rembrandt ishte vetëm 27 vjeç kur realizoi këtë pikturë, e cila paraqet skenën biblike kur prifti Zakaria njoftohet nga Kryeengjëlli Gabriel se ai dhe bashkëshortja e tij do të bëhen prindër të Gjon Pagëzorit.
Vepra konsiderohet një nga të paktat piktura historike që Rembrandt realizoi gjatë asaj periudhe, kur ai ishte i fokusuar kryesisht në portrete, të cilat ishin shumë më fitimprurëse. Rizbulimi i saj përbën një moment të rëndësishëm për historinë e artit dhe për studiuesit e veprës së mjeshtrit holandez. A.K./TemA
Lini një Përgjigje