Qyteti bregdetar i Himarës nga 21 deri më 28 gusht do të mikpresë edicionin e katërt të Himara International Music Festival.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, tha se ky festival është një ngjarje e rëndësishme kulturore që po kthehet në një traditë të çmuar për artdashësit shqiptarë dhe ndërkombëtarë, duke e kthyer qytetin bregdetar në një qendër të artit dhe muzikës botërore.
Festivali do të zhvillohet në sallën “Neço Muko” dhe do të ofrojë shtatë netë koncertesh të pasura dhe të larmishme, duke përfshirë flamenco, jazz, muzikë klasike, kontemporane, si dhe një platformë për artistët e rinj dhe masterklasse për muzikantët në zhvillim.
Artistë nga Shqipëria, Kosova, Franca, Gjermania, Austria, Spanja, Finlanda dhe Hungaria do të performojnë në skenën e festivalit, duke sjellë energji, eksperiencë dhe një frymë ndërkombëtare në zemër të bregdetit shqiptar.
Gonxhja tha se, vizioni i festivalit mbështetet në pesë shtylla kryesore: Promovimi i Himarës dhe trashëgimisë kulturore të saj; ekselenca artistike; mesazhe reflektuese për fenomenet shoqërore; krijimi i hapësirave për artistët e rinj dhe afërsia me publikun përmes një programi të larmishëm dhe tërheqës, shkruan atsh.
“Festivali po kthehet në një traditë të dashur për artdashësit vendas dhe të huaj, duke kontribuar në pasurimin kulturor dhe promovimin e Himarës si destinacion i artit dhe turizmit”, u shpreh ministri.
Lini një Përgjigje