VIDEO/ “Kapitalizmi sot i do njerëzit të mos mendojnë” – Gentian Koçi për robotizimin e shoqërisë dhe kinemanë komerciale

21 Gusht 2025, 12:45Kulturë TEMA
VIDEO/ “Kapitalizmi sot i do njerëzit të mos

Ndërsa bisedonim me regjisorin Gentian Koçi në lidhje me atë çfarë kinemaja mund të jetë dhe në çfarë shndërrohet shpesh për shkak të presionit komercial, ai u shpreh se për të, filmi dhe arti komercial nuk janë vetëm mënyra të padëmshme argëtimi, por një lloj ‘fast food’ për mendjen, me pasoja mjaft serioze për shoqërinë.

Ai theksoi se si jeta moderne dhe kapitalizmi sot, duan që njerëzit të jenë thjesht qenie konsumi, të paaftë për të menduar dhe reflektuar. Jeta sipas këtij modeli, thotë ai, transformohet në një cikël të pafundëm ku ne zgjohemi, punojmë, kthehemi në shtëpi të rraskapitur dhe të pafuqishëm për t’u marrë me famiiljen, ndërsa boshllëkun e krijuar kërkojmë ta mbushim me çfarëdo forme argëtimi sipërfaqësore që na del përpara, nga programet banale televizive, tek filma dhe seriale komercialë, të krijuar për të na mbajtur sa më në distancë dhe të papërfshirë.

“Kapitalizmi sot i do njerëzit të jenë thjesht konsumatorë. Mundësisht të mos mendojnë, të mos jenë qenie që mendojnë. Fatkeqësisht, shoqëria shqiptare por edhe shoqëria globale, punohet shumë fort që njerëzit të mos mendojnë më, të jenë disa qenie biologjike. Jeta të jetë e ndërtuar, ku ti zgjohesh në mëngjes, shkon në punë, bën punën, vjen në darkë në shtëpi, je shumë i lodhur dhe nuk ke fuqi të rrish as me fëmijët e tu e as me gruan tënde.

Mund të shohësh një program banal ose një film komplet komercial, që të jesh sa më i papërfshirë. Të jesh shumë në distance dhe mos të kesh fare të bësh me atë që po sheh... Një lloj robotizmi i shoqërisë, që po i ndodh sot –  ka vite mund të themi dhe shekuj – po në  njëfarë mënyre sot po merr një përmasë shumë të madhe, sepse sot i duan njerëzit thjesht qenie konsumi.”

Ndaj, në filmat  e tij, Gentian Koçi sjell edhe rezistencën e tij kundër përpjekjes për ta shndërruar shoqërinë në një shoqëri konsumi. “Një filxhan kafe dhe këpucë të reja veshur,” por edhe filmi pararendës “Dita zë fill,” e refuzojnë me vendosmëri logjikën e argëtimit komercial sipërfaqësor. Përkundrazi, përmes historive thellësisht njerëzore që trajtojnë, fokusit tek brishtësia njerëzore, kërkojnë që shikuesi të përballet me të vërteta të parehatshme dhe të reflektojë.

 

1 Komente

  1. A
    Admirim i zhgënjyer

    Mirë e ka thënë. Dhe ka plotësisht të drejtë. Kapitalizmi jo vetëm që i do njerëzit të mos mendojnë, por vetëm të konsumojnë, por i do edhe të çoroditur, pa dinjitet dhe forcë morale. Eh sa e kemi dashur kapitalizmin 35 vjet të shkuara!

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje